Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se qëndrimet e Qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë, të shprehura ditëve të fundit, janë kalkulime të ftohta dhe të liga.
Sipas tij, “humbja e pashmangshme” në zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt ka bërë që pushtetarët aktual të mbushen me mllef.
Ai tutje ka thënë se kryeministri dhe Ministria e Drejtësisë po përdorin gjuhë me të cilën po shkelin arritjet historike të 25 vjetëve të fundit.
“Deklarata e tri ditëve të fundit të qeverisë kundër sistemit të drejtësisë nuk janë as idiotike dhe as të paqëllimta. Këto janë kalkulime të ftohta dhe të liga. Qeveria më këtë gjuhë të Kryeministrit e Ministrisë së Drejtësisë janë duke shkelur arritjet historike, që ndodhin një herë në njëqind vjet, e në veçanti në 25 vitet e fundit. Kurti me comrades dëshiron ta thyejë në mes, ta copëtojë këtë trashëgimi. Pastaj ligji dhe drejtësia mbeten vetëm një poligon i populizmit dhe propagandës nga njerëz të mbushur me mllef si rezultat i mungesës së arritjeve dhe humbjes së pashmangshme me 9 shkurt”, ka shkruar ai në Facebook.
Të dielën në podcastin “Rrjedha” që transmetohet në KTV, Kurti u pyet pse nuk po pranon të shkojë në Prokurori Speciale për të dhënë dëshminë lidhur me hetimet mbi rezervat shtetërore. Ai ka thënë se kryeprokurori Blerim Isufaj është “regjisori i një pamjeje ku duhet të prodhohet një lajm se kryeministri i Kosovës intervistohet për një rast korrupsioni”.
“...Aty nuk duhet si dëshmitar, Ky është qëllimi. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme po më të butë se s’munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin, që e nxorën duarlidhur prej BQK-së. Prokurorët ua kanë mësyrë krejt ministrave tanë. Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë. Gjithmonë publikisht, s’kam privatisht asgjë”, ka shtuar Kurti.