Arbëri

Ta mbijetosh masakrën, Saranda Bogujevci kthehet në vendin ku paramilitarët ia vranë familjen

Saranda Bogujevci është kthyer 20 vjet pas, në vendin ku forcat serbe ia vranë gjithë familjen.

Tani deputete e Kuvendit të Kosovës, ajo ende i ka të freskëta pamjet e përgjakshme të 28 marsit të vitit 1999, raporton KTV.

Në mesin e të ekzekutuarve ishin edhe nëna e dy vëllezërit e saj, derisa ajo rrëfen tmerrin që ka përjetuar gjatë luftës.

Në këtë ditë, ajo pa se si në mënyrë mizore u vranë 16 anëtarë të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, të cilët u masakruan në këtë oborr në Podujevë nga“Skorpionët”, pjesëtarë të njësisë paramilitare serbe.

Të pamëshirshëm ndaj kujtdo, pjesëtarë të këtij njësiti nuk kishin kursyer as fëmijët e gratë.

Pushkatimit i mbijetuan me plagë të rënda pesë fëmijë: Fatosi, Jehona, Liria, Genci dhe Saranda Bogujevci.

Saranda u mbijetoi 16 plumbave dhe plagët e tyre i mban si dëshmi e krimeve makabër të forcave serbe.

Bogujevci tregon se është e zhgënjyer me punën e institucioneve të cilat nuk kanë kërkuar sa duhet llogari nga Serbia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ajo ishte marrë për shërim në Manchester të Britanisë së Madhe nga organizata bamirëse, Manchester Aid to Kosovo.

Anëtarë të Manchester Aid to Kosovo, kanë ardhur edhe këtë vit në parkun në Podujevë, për ta kujtuar sakrificën e kosovarëve gjatë luftës së 1999-s.

“Shpresa jonë është që jetë e re, paqe dhe drejtësi, do të gjenden nga humbja tragjike në këtë komunitet dhe nga vuajtjet këtu”, ka thënë Peam Daste.

Familje të tëra u shuan në këtë masakër, ashtu sikurse familja e babait të Mimozës.

Disa nga masakrat më të mëdha në Kosovë nga forcat serbe, kanë ndodhur pikërisht pas fillimit të sulmeve ajrore nga NATO-ja.