Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka thënë se struktura institucionale e mediave në Kosovë duhet të përmirësohet.
Sipas tij, ky ndryshim nevojitet për të lejuar funksionimin profesional dhe të paanshëm të mediave.
Ai ka thënë se ligjet në Radio Televizionin e Kosovës dhe Komisionin e Pavarur të Mediave duhet të jenë në përputhje me Direktivën e Shërbimeve Audivizuele të Bashkimit Evropian.
“Edhe pse Kosova gëzon një mjedis të gjallë dhe të shumëllojshëm të mediave, sulmet fizike, kërcënimet dhe fushatat për denigrim të gazetarëve, në veçanti të grave, mbeten një shqetësim. Duhet të përmirësohet struktura institucionale e mediave në Kosovë për të lejuar funksionimin profesional dhe të paanshëm të mediave dhe ligjet në RTK dhe Komisionin e Pavarur të Mediave duhet të ndryshohen për t’u përputhur me Direktivën e Shërbimeve Audiovizuale të BE-së”, ka shkruar ai në Twitter.
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i është drejtuar me një kërkesë prokurorëve dhe gjyqtarëve, ku ka shprehur shqetësimin për trajtimin e rasteve të dhunës kundër gazetarëve.
AGK-ja ka thënë se në pesë vjetët e fundit janë regjistruar 120 raste kërcënimesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, 33 prej tyre vitin e kaluar. Këtë vit janë regjistruar 11 raste.