Jo vetëm ndërhyrjet “administrative” të Qeverisë e emërimet e saj në transmetuesin publik janë arsyet që në Indeksin e vlerësimit të Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa kufij”, Kosova ka shënuar rënie prej 19 vendeve. Pavol Szalai, redaktor i raportit të “Reporterëve pa Kufij” për BE-në dhe Ballkanin, në intervistë për “Interaktiv” të KTV-së ka sqaruar se në përkeqësimin e situatës mediatike dhe qasjen e politikave redaksionale të mediave kanë kontratat financiare që ato kanë me partitë politike e pushtetet komunale. Megjithatë, ai ka bërë Qeverinë përgjegjëse për sigurinë e gazetarëve dhe përmirësimin e zbatimit të ligjit. Madje, sipas Szalait, përgjegjëse ajo është edhe për sigurinë e gazetarëve që janë sulmuar nga protestues serbë gjatë raportimeve në kufirin me Serbinë e në komunat e veriut.
KOHA: Renditja e sivjetme në Indeksin e Lirisë së Shtypit nga “Reporterët pa kufij” shënon një rënie në rangimin e përgjithshëm të Kosovës. Ajo renditet e 75-ta nga 180 shtete, pra një rënie prej 19 pozitash krahasuar me vitin e shkuar. Çfarë shpërfaq ky rangim për ambientin medial në Kosovë sipas jush?
SZALAI: Në fakt Kosova përjetoi një rënie të fortë në Indeksin e sivjetmë të vlerësimit të Lirisë së Shtypit nga “Reporterët pa Kufij”. Kosova u është ofruar shteteve të tjera në Ballkan, ku situata është katastrofike, sikurse Serbia apo Shqipëria. Kjo mund të përshkruhet nga një numër i madh i sulmeve fizike ndaj gazetarëve në Kosovë, në lidhje me tensionet me Serbinë në Mitrovicë të Veriut dhe po ashtu nga përpjekjet e Qeverisë dhe autoriteteve të Kosovës për të rrezikuar mediat private. Dhe për këtë mund të përmendim përpjekjet për të mbyllur televizionin privat Klan Kosova dhe po ashtu disa emërime në udhëheqjen e Televizionit Publik të Kosovës të personave që janë të afërt me partinë në pushtet. Prandaj këto qëndrojnë prapa problemeve të listuara dhe të gjitha këto ndodhën në kontekst të gjërave që ndodhën me Serbinë.
KOHA: Kemi parë një valë reagimesh që prej publikimit të raportit dhe njerëz të afërt me partinë në pushtet ua kanë atribuuar gjithë këtë rezultat të keq të raportit të “Reporterëve pa Kufij” tensioneve dhe sulmeve të gazetarëve në veri të Kosovës këta 12 muajt e fundit. Sa qëndron ky vlerësim sipas jush, a mund t’i atribuohet e gjithë kjo asaj që ndodhi në veri apo ka diçka më shumë për të thënë?
SZALAI: E dini, ky indeks nga “Gazetarët pa Kufij” nuk është rangim i qeverive. Është rangim i shteteve dhe ne jemi të vëmendshme edhe për faktorë të tjerë që e afektojnë lirinë e shtypit. Nuk janë vetëm ambienti politik dhe Qeveria. Sidoqoftë, Qeveria ka një rol të madh për të ruajtur sigurinë e gazetarëve. Dhe nëse gazetarët sulmohen në kufi me Serbinë, në veri të Kosovës, Qeveria duhet të bëjë çdo gjë që është e mundur për të përmirësuar sigurinë e gazetarëve. Unë isha në Kosovë para disa kohe dhe iu kam kërkuar në mënyrë direkte zyrtarëve të Qeverisë për të përmirësuar zbatimin e Ligjit dhe për të garantuar më mirë sigurinë e gazetarëve dhe pastaj të gjitha këto sulme ndodhën. Mirëpo një tjetër arsye e kësaj gjendjeje janë edhe sulmet politike të pushtetit ndaj gazetarëve kritikë dhe natyrisht se ne kemi qenë shumë të alarmuar dhe kemi denoncuar ngacmimin administrativ të Klan Kosovës, që vërtet ishte në teh të humbjes së licencës së tyre dhe të mbyllej për shkak të një arsyeje banale administrative dhe që do të ishte një sanksion totalisht joproporcional. Kështu që nuk e di se çfarë do të ndodhte nëse Klan Kosova do të mbyllej po të mos ishte gjithë ajo bujë ndërkombëtare që u bë për atë rast. Dhe në fund, ne kemi problem me pavarësinë e mediumit publik, qoftë për politikat redaktoriale. E ku ka ndikim Qeveria edhe varësinë financiare. Gjendja financiare e transmetuesit publik është shumë-shumë e vështirë, kështu që Qeveria duhet t’i largojë duart nga mediat private dhe të përmirësojë kushtet e punës të mediumit publik dhe të gazetarëve kur mbulojnë situata të tensionuara sikurse rasti në veri.
KOHA: Zoti Szalai, e kemi parë që viteve të fundit ambienti medial në Kosovë është lavdëruar për lirinë e shtypit në krahasim me vendet e rajonit, por në bazë të raporti tuaj të sivjetmë, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi qëndrojnë më mirë sesa Kosova, e cila ka pasur rangimin më të keq të saj në dhjetë vjetët e fundit. A mendoni se ky raport ekspozon gjendjen vetëm për këta 12 muaj apo ju shihni tendencë të kësaj qeverie që ka hyrë në 4-vjetorin e qeverisjes dhe që ka për qëllim ta ndryshojë ambientin medial në Kosovë. Çfarë qëndrimi mbani për këtë?
SZALAI: Kosova historikisht është ranguar më mirë sesa Bosnja, Serbia apo Shqipëria dhe kjo ka ardhur për arsye se në Kosovë ka pasur ndryshim të qeverive që ndodhën si pasojë e zgjedhjeve dhe po ashtu, siç e thatë, ka një ambient divers dhe plural mediatik. Dhe ky është rasti. Ne mendojmë se Kosova ka një ambient të shëndetshëm privat, nëse flasim nga aspekti ekonomik janë goxha të pavarur, por po së fundmi mediat janë dobësuar në pavarësinë e tyre, në statusin e tyre legal nga shumica qeveritare. Sulmet politike ndaj gazetarëve janë shumëfishuar, dhe kjo gjë është shumë shqetësuese, gjërat mund të ndryshojnë nëse Qeveria e Kosovës e ndryshon këtë qëndrim dhe fillon të inspirohet nga legjislacioni evropian. Ne tani kemi Aktin Evropian të Lirisë së Shtypit në Bashkimin Evropian. Kemi standarde për sigurinë e gazetarëve dhe kundër padive abuzive. Kështu që nëse Qeveria e Kosovës merr veprime të inspiruara nga Bashkimi Evropian, ku synon të integrohet, atëherë gjendja me median do të ndryshojë, informacioni për qytetarët në Kosovë do të përmirësohet dhe Kosova do të përparojë kështu në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
KOHA: Duke folur për pavarësinë financiare ju folët pak për çështje ekonomike. Në këtë pjesë të Raportit tuaj thuhet si në vijim: “Në përgjithësi, mediat janë të varura financiarisht nga reklamat, qoftë nga Qeveria apo partitë politike, e që të dyja shpërndajnë në mënyrë jotransparente dhe shpërndahen në mënyra partiake”. Në fakt Qeveria e Kosovës i ka ndaluar reklamat. Ku bazohet raporti juaj në këtë konstatim dhe çfarë reference keni ju për këtë?
SZALAI: Ne nuk themi që reklamat apo të ardhurat nga autoritetet publike janë të vetmet. Natyrisht një pjesë e madhe, mbase shumica janë nga reklamat e privatëve dhe të ardhurat e tjera nga platformat digjitale për postimin e përmbajtjes nga mediat. Mirëpo, ka ende disa të ardhura nga kontratat me autoritete publike dhe e di se Qeveria e ka ndalur reklamimin sistematik në media. Mendoj se për kushtet e Kosovës ky është një hap i mirë. Por siç thashë, arsyet kryesore që shpjegojnë rënien e Kosovës në rangim është çështja e sigurisë së gazetarëve dhe përpjekja e Qeverisë për të minuar pavarësinë e mediave publike dhe private në Kosovë siç e përshkrova. Kjo është në një shkallë të lartë, jo në mënyrë ekskluzive, por në një masë të madhe është pjesë e përgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës.
KOHA: A është kjo pjesë e vjetërsuar, pra që do t’ju duhet ta përditësoni në raportin e radhës, sepse më të vërtetë e lexova dhe thotë se Qeveria e partitë politike ishin ato që u jepnin para disa prej mediave, që shpërndahen në mënyrë jotransparente dhe në baza partiake. Po e kërkoja referencën, kush saktësisht? Cilat institucione po i shpërndajnë këto para në baza partiake siç thoni ju e pa transparencë?
SZALAI: Epo ende ka kontrata mes mediave dhe komunave. E fjala “Government” në anglisht nënkupton edhe pushtetin lokal dhe të gjitha institucionet publike. Pra ky është kuptimi.
KOHA: A mund specifikoni apo nuk keni diçka konkrete në mendje tani?
SZALAI: Epo, jo, ka informata lidhur me këtë çështje, nuk janë të plota dhe janë të qarta, nuk do të hyja në detaje, dhe siç e thashë është mirë që të ardhurat kryesore të mediave vijnë prej reklamuesve privatë dhe nga postimi nëpër platforma.
KOHA: Keni konstatuar po ashtu se gazetarët janë ballafaquar me paditë që ua kanë bërë grupet e biznesit dhe politikanët. A po bëhet kjo fenomen në Kosovë?
SZALAI: Mendoj që është problem në Kosovë. Është edhe problem i përgjithshëm në Ballkan dhe në Evropë dhe nëse nuk ndërmerren hapa për t’u ballafaquar me këtë problem, nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, duke ofruar më shumë mbrojtje ligjore prej këtyre padive abuzive, do të rritet edhe më shumë dhe e dini... Sot nganjëherë në vend se të tentojnë ta vrasin gazetarët, disa aktorë privatë apo zyrtarë publikë që janë të korruptuar, tentojnë t’i heshtin ata me padi.
KOHA: Cili është dallimi që e keni vërejtur te gazetarët shqiptarë dhe serbë të Kosovës, sepse e kam parë në raport që ndryshojnë dhe përballen me kërcënime të ndryshme, veçanërisht në aspektin ekonomik, ku gazetarët e komuniteteve pakicë janë më të cenuar.
SZALAI: Po, ambienti mediatik është më i shumëllojshëm, më i fuqishëm dhe më i lirë në pjesën shqipfolëse të Kosovës, derisa në komunitetet e dominuara nga serbishtja hapësira është shumë më e kufizuar, ka shumë më shumë ndërhyrje nga Beogradi që është e rrezikshme për lirinë e mediave dhe ka shumë më pak media, gati-gati numërohen në gishta ato që janë të pavarura e të lira. Për më shumë kemi problemet te gazetarët serbishtfolës të Kosovës me qasjen në informata sa u përket autoriteteve të Kosovës, por edhe sa u përket autoriteteve lokale në Mitrovicën Veriore. Kjo është edhe arsyeja për të cilën na duhen media publike të forta e të pavarura në Kosovë, që do t’i mbulonte të dyja këto pjesë dhe ku gazetarët mund të raportojnë lirisht.
KOHA: Po ta krahasojmë me rajonin, bazuar në këtë raport, por edhe në bazë të këndvështrimit nga përvoja juaj, meqë e thatë se keni qenë në Kosovë dhe keni kontakte këtu, cila është përshtypja juaj, ku është Kosova në raport me shtetet e rajonit në kuptimin e lirisë së mediave?
SZALAI: Kur i sheh gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është tash e treta pas Maqedonisë së Veriut, që është e 36-ta e Malit të Zi që është i 40-i dhe para Bosnjës, Serbisë dhe krejt të fundit në Ballkanin Perëndimor – Shqipërisë. Pra, Kosova vazhdon të jetë në mes. Mendoj që mund të rangohet edhe më lart, mund të bëjë më mirë, ishte ranguar më mirë në të kaluarën. Pra për Qeverinë e Kosovës nuk është mirë që të marrë shembull nga praktikat e këqija, por nga praktikat e mira. Është shumë e rëndësishme që Kosova të krahasohet me shtetet anëtare të BE-së, sepse aty është synimi i Kosovës.
KOHA: Nëse e shohim të gjithë raportin, duket në të vërtetë që ka rënie në lirinë e mediave gjithandej nëpër botë. Në çfarë kursi është aktualisht rajoni i Ballkanit në përgjithësi?
SZALAI: Ka rënie në lirinë e shtypit globalisht. Autoritetet që e kanë mandat mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së mediave po e vënë në pikëpyetje atë liri, duke dështuar t’i mbrojnë gazetarët. E shohim në Gaza, mbi 100 gazetarë janë vrarë prej ushtrisë së Izraelit në operacionet kundërpërgjigjëse pas sulmit terrorist të Hamasit. Në Evropë e kemi Qeverinë e Viktor Orbanit që u jep frymëzim qeverive të tjera drejt veprimeve të rrezikshme ndaj lirisë së mediave - Sllovaki, në Bosnjë-Hercegovinë – Milorad Dodikun e Republikës Serbe e ngjashëm edhe në Serbi – Aleksandar Vuçiqin. E në Ballkan e vërejmë po ashtu degradimin e lirisë së mediave në të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Maqedonia e Veriut ka shkuar dy vende më lart, mirëpo kjo është vetëm pasojë e degradimit të lirisë së mediave në shtetet e tjera. Në fakt rezultati në pikë i Maqedonisë së Veriut ka rënë dhe kemi rënie të lirisë së mediave edhe në këtë rast. Pra shohim trend të madh, që është i kundërt me ambiciet e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në BE. BE-ja po bën përpjekje për ta përmirësuar lirinë e mediave përmes kushtëzimit në procesin e anëtarësimit, mirëpo ka shumë më shumë punë e përgjegjësi që bien mbi supet e Qeverisë së Kosovës, shoqërisë civile që duhet të vazhdojë të jetë e mobilizuar për t’i mbrojtur gazetarët kur ata sulmohen.
KOHA: Pyetja ime e fundit është, në të ardhmen po thoni që shoqëria civile e gazetarët duhet të jetë më të mobilizuar. Cila duhet të jetë qasja e përgjithshme dhe cilat janë rreziqet kryesore për lirinë e mediave në Kosovë?
SZALAI: Mendoj që është shumë me rëndësi që të forcohet solidariteti ndërmjet gazetarëve brenda për brenda Kosovës dhe ndërmjet tyre me gazetarët në vendet fqinje dhe shtetet e tjera evropiane. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shumë i fuqishëm, kemi kontakt me ta, e respektojmë shumë punën e tyre. Është tejet me rëndësi që gazetarët ta ndërtojnë këtë solidaritet dhe të flasin njëzëri kur sulmohen, kur kërcënohet pavarësia mediatike dhe është me rëndësi edhe që të vazhdojë pluralizmi mediatik dhe që gjithherë të preferohen faktet para gënjeshtrës, sepse në këtë formë mund të ndërtohet besimi te shoqëria dhe atyre u duhet ky besim në momentet më të vështira dhe shoqëria do t’ua japë mbështetjen atyre e do t’i mbrojë, nëse u besojnë gazetarëve.