Arbëri

Synohet transformimi i dy lagjeve të banuara me romë, ashkali e egjiptianë

Në dy lagje të Fushë-Kosovës, komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë përballen me mungesë të shërbimeve bazë. Por, aktivistë të një organizate joqeveritare kanë nisur një projekt që për synim ka transformimin e këtyre vendbanimeve. Problem në këtë mësymje janë bërë pronat, titullarë të të cilave figurojnë serbët

Për Përparim Raqin dhe familjen e tij 11-anëtarëshe, jeta në këtë shtëpi dydhomëshe është bërë e pamundur. 

Ai tregon se në të nuk ka as ujë e as rrymë. 

Raqi, i cili nuk punon, familjen e mban vetëm me asistencë sociale.

“Siç po e shoh unë, shteti nuk po funksionon vetëm për romët, për krejt komunitetet, sepse shumë dallime po bëjnë”, ka thënë ai. “Këtu nuk kanë as fëmijët park e as të drejta nuk kanë fëmijët këtu. Si të dalin fëmijët këtu, direkt në rrugë e mund t’i shkelë ndonjë veturë”.

Me kushte të vështira përballen edhe rreth 10 mijë banorë sa jetojnë në lagjet 028 dhe 029 në Fushë-Kosovë. 

Por, organizata “Zëri i romëve, ashkalive dhe egjiptianëve” (VoRAE) synon që me ndihmën financiare të Zvicrës dhe institucioneve, ta bëjë transformimin e këtyre lagjeve.

“Ndryshimi normal bëhet me norma të banimit më modern, sesa ato klasike dhe komuniteti duhet të adaptohet dhe të mësohet me një ndryshim, i cili mund të vijë. Nëse ne vazhdojmë dhe kemi përkrahje institucionale, atëherë transformimi merr kohë, ndoshta nuk është një periudhë afatshkurtër 3 vjet, ndoshta 6 vjet dhe mundet deri në 20 vjet”, ka thënë Violeta Thaqi, menaxhere projekti në organizatën VoRAE.

Pengesë për transformimin e këtyre lagjeve janë bërë pronat.

Ramiz Bici, një nga aktivistët e organizatës VoRAE, thotë se 70 për qind e pronave janë në emër të serbëve, ndonëse para shumë vjetëve pjesëtarët e komuniteteve i kanë blerë ato.

“Kushti i parë për transformim të lagjes është zgjidhja e çështjeve pronësore. Pra duhet të jetë pronë private e titullarit posedues. Ajo duhet të shkojë përmes procedurave ligjore që janë dy: me kontratë të shitblerjes me serbin te noteri, ose përmes procedurave gjyqësore e që realisht është e vetmja mënyrë”, ka thënë ai.

Punimet për transformimin e lagjeve kanë filluar. Në këtë bllok, pas ndërtimit, pritet të vendosen 10 familje.