Në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë shtytje zbatimit të marrëveshjeve tjera pas asaj të energjisë, në Kosovë po qëndron emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në takim me të, kryeministri Albin Kurti ka thënë se angazhohet për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke
Vizitën tre ditore në Kosovë emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka nisur duke takuar kryeministrin Albin Kurti. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pas tij nuk ka pasur deklarata për media.
Përmes një komunikate për media, zyra e kryeministrit ka thënë se në takim u bisedua për mbarëvajtjen e deritanishme të dialogut.
“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, z. Lajçak folën edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ai theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendit”, shkruan në komunikatën e zyrës së kryeministrit.
“Në sajë të kësaj marrëveshje, pas më shumë se 20 vitesh, katër komunat në veriun e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë. Me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit”.
Para ardhjes së Lajçakut në kryeministri, Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion duke i vendosur para objektit të qeverisë peticionet e vjetra të VV-së përmes të cilave kundërshtoheshin marrëveshjet Kosovë-Serbi.
“Besoj që kurrë më shumë se sot Albin Kurti duhet të ketë parasysh që s’ka mandat për këto marrëveshje, që s’ka mandat me bo marrëveshje etnike në Kosovë dhe po ashtu i ka mbi 205 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës, në mesin e tyre edhe veten e tij, që e kanë kundërshtuar. Ky është vullnet politik më shumë së ai që në zgjedhje ka garuar për çështje të tjera, e po servon për çështje të tjera”, ka thënë kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Ai ka shtuar se, Lajçaku nuk është i duhur për të quar Kosovën në një marrëveshje me Serbinë.
“Procesi në dialogun e Brukselit e udhëhequr nga Lajçak nuk ka sinjale që dërgon në një marrëveshje përfundimtare të zbatueshme që i rrit gjasat për fqinjësi të mirë mes Kosovës dhe Serbisë, që ne e quajmë paqe e përhershme mes popujve. Kjo është ngurtësim i konfliktit edhe vazhdimësi e tij”.
Përveç kryeministri Kurti, Lajçak do t’i takojë liderët e partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Ai po ashtu planifikon të vizitojë Prizrenin dhe veriun e Kosovës. Nga këto takime nuk përjashtohet mundësia e përgatitjes së një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, mes kryeministrit Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Lajçak vjen në Kosovë pas miratimit të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve së Energjisë. Udhërrëfyesi i dakorduar do të mundësojë furnizimin, faturimin dhe inkasimin e pagesave për konsumin e energjisë elektrike në 4 komunat e veriut- Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015, shërbimet si vendosja e matësve tё energjisë, mirëmbajtja e tyre, faturimi dhe inkasimi do t’i nënkontraktohen operatorit Elektrosever, i cili të premten e kaluar është licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Ndërkaq Bashkimi Evropian do ta monitorojë zbatimin e këtij dakordimi.
Marrëveshjet e pazbatuara
Por janë edhe disa marrëveshje tjera nga dialogu i deritashëm që nuk janë zbatuar nga palët, me gjithë kërkesat e Brukselit. Serbia vazhdon të pengojë hapjen e urës mbi Lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve edhe pse rivitalizimi i saj ka përfunduar prej vitesh me financim të BE-së. Beogradi vazhdon t’i mbajë gjallë edhe strukturat paralele, për të cilat Qeveria e Kosovës e ka denoncuar në vazhdimësi në Bruksel. Zgjidhje nuk i është dhënë as çështjes së targave megjithëse janë zhvilluar disa takime për të këtë çështje.
Sa i përket palës kosovare, Lajçaku dhe zyrtarët tjerë kanë insistuar në zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo është pika kryesore në të cilën insiston edhe Serbia, derisa kryeministri Kurti deri tash e ka përjashtuar mundësinë e përmbushjes së kësaj kërkese. Gjashtë pikat e para të marrëveshjes së vitit 2013 flasin për Asociacionin, derisa marrëveshja e parimeve e vitit 2015 ishte vlerësuar të jetë në kundërshtim me kushtetutën, për shkak të kompetencave që i janë veshur këtij mekanizmi. Gjykata Kushtetuese ka kërkuar evitimin e shkeljeve gjatë draftimit të statutit, teksa Asociacionin e ka bërë pjesë të sistemit juridik të vendit.
Pas takimit të fundit, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pranuar të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi të arrihet marrëveshja për energji.
“Pas raundit të fundit të bisedimeve në zyrën e z. Miroslav Lajçak, ku ishin z. Lajçak, z. Bislimi dhe unë, z. Bislimi tha hapur se Prishtina është e gatshme të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe kur të arrijmë marrëveshje për energji. Ne kemi arritur marrëveshje për energji, dhe është hapur rruga për formimin e Asociacionit”, ka thënë Petkoviq.
Por, zëvendëskryeministri për dialog, Bislimi e ka mohuar se ka dhënë një zotim të tillë.