Arbëri

Synohet rregullimi i rekrutimit dhe fuqizimi i mbikëqyrjes civile mbi FSK-në

Një ligj i ri është propozuar për Ministrinë e Mbrojtjes përmes të cilit do të adresohen mangësitë e identifikuara gjashtë vjet pas miratimit të pakos së ligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri. Mbështetur në koncept-dokumentin e Ministrisë së Mbrojtjes, përmes ndryshimeve synohet rregullimi i rekrutimit, fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike civile mbi FSK-në, si dhe avancimi i kapaciteteve mbrojtëse

Ministria e Mbrojtjes synon t’i hyjë procesit për miratimin e një ligji të ri, gjashtë vjet pas votimit të pakos ligjore përmes së cilës Forca e Sigurisë u shndërrua nga një mandat për mbrojtje civile e reagim emergjent në forcë mbrojtëse.  

Në koncept-dokumentin i cili ka kaluar konsultimet publike, opsioni i rekomanduar është hartimi i ligjit të ri për Ministrinë e Mbrojtjes, i cili do të përcaktojë funksionimin, fushëveprimin dhe organizimin e këtij dikasteri.

Përmes ndryshimeve synohet fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike civile mbi FSK-në si dhe avancimi i kapaciteteve mbrojtëse.

Mes tjerash aty përmenden mangësitë kryesore për të cilat opsioni më i favorshëm konsiderohet miratimi i një ligji të ri.

“Siç është dëshmuar përmes të dhënave në pjesën hyrëse të këtij koncept-dokumenti, problemi kryesor i identifikuar nga grupi punues është: Nevoja e përcaktimit dhe rregullimit të statusit të veçantë përmes dispozitave të ligjit të veçantë, në këtë rast Ligjit të ri për Ministrinë e Mbrojtjes, dispozita këto të cilat do të jenë mbizotëruese në raport me dispozitat e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë; Nevoja e ripërcaktimit të duhur të niveleve të organizimit strukturor të Ministrisë së Mbrojtjes në raport me fushëveprimin dhe rolin mbikëqyrës të FSK-së; Nevoja e përcaktimit dhe definimit të përfaqësimit të pozitave ushtarake në kuadër të strukturës së personelit në MM/FSK (përfshire përqindjen, niveli i gradave, pozitat deficitare të tyre/ zëvendësimin) si dhe ekuivalentimin në gradë dhe shërbim ndërmjet personelit civil dhe atij ushtarak.”, thuhet në koncept-dokument. 

Ministria e Mbrojtjes do të jetë institucioni udhëheqës shtetëror në fushën e mbrojtjes së vendit, përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin civil demokratik mbi FSK-në, e përbërë nga personeli civil dhe personeli ushtarak i FSK-së.

Propozimi për ndryshimin e ligjit është arsyetuar edhe me domosdoshmërinë e përshtatjes me rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë, i cili bazohet mbi rreziqet që i kanosen vendit.

“Andaj, me qëllim të adaptimit të praktikave më të mira, do të zhvillohen politika më të avancuara për rekrutim të personelit ushtarak aktiv, rezervë dhe stafit civil, në mënyrë që të krijohen kushte për zhvillimin e një force profesionale moderne. Rreziqet dhe kërcënimet e reja të sigurisë kërkojnë aftësi të reja dhe trajnim modern. Për këtë qëllim, theksi vihet në përgatitjen e personelit profesional ushtarak, rezervë dhe civil, të arsimuar dhe të trajnuar mirë, të aftë dhe të motivuar. Në vazhdimësi, në bashkëpunim me partnerët strategjikë do të zhvillohen analiza dhe vlerësime të fizibilitetit për të gjeneruar opsione për modele të shërbimit ushtarak, bazuar në kushtet, rrethanat dhe resurset”, shkruan në dokument. 

Aty përmenden edhe trendët aktualë demografikë që ndikojnë në kapacitetet e ushtrisë.

“Trendët e tanishëm demografikë kërkojnë angazhim të shtuar, për të siguruar që politikat e tërheqjes, rekrutimit dhe të mbajtjes së personelit të arrijnë standardet e kërkuara për forcat tona, duke u dhënë përparësi individëve me arsimim më të lartë dhe me aftësi e cilësi unike për specialitete të veçanta. Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë shumetnike, andaj në këtë drejtim do t'i jepet përparësi përfaqësimit gjinor në përputhje me qëllimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në këtë dokument. 

Në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes do të funksionojë edhe inspektori gjeneral, që do të jetë nën varësinë direkte të ministrit të Mbrojtjes, fushëveprimtaria e të cilit do të përcaktohet me ligjin e ri të Ministrisë së Mbrojtjes apo me ligj të veçantë.

Deri në aftësimin e plotë të kapaciteteve vetjake, Kosova vazhdon të llogarisë në forcën e NATO-s - KFOR.

“Prezenca e KFOR-it dhe forcave të tjera ndërkombëtare në territorin e Kosovës do të krijoje hapësirë kohore dhe nuk do të krijojë zbrazëti në sigurinë e vendit përderisa të aftësohen institucionet vendore të sigurisë për të marrë rolin udhëheqës në sigurinë e vendit përkatësisht aftësive për mbrojtje të territorit. Bazuar në rekomandimet e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS), draft-struktura e Ministrisë së Mbrojtjes (MM) duhet dizajnuar mbi kërkesat e së ardhmes (bazuar në kërcënimet dhe rreziqet që i kanosen vendit dhe qytetarëve të RKS)  dhe me qëllim për të mundësuar përmbushjen e misionit (të paraparë në RSSS)”, shkruan në koncept-dokument.  

NATO-ja ende nuk ia njeh FSK-së mandatin e ndryshuar në ushtri, derisa bashkëpunimin e zhvillon në kuadër të mandatit për emergjenca civile. 

Pas aprovimit të koncept-dokumentit nga qeveria, Ministria e Mbrojtjes do të formojë grupin punues për hartimin e Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes.