Arbëri

Serbia synon t’i sfidojë balancat gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor

Formimi i aleancës ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë ka ngjallur reagime të forta në Serbi, ku zyrtarët serbë sërish e kanë cilësuar atë si një bosht të drejtuar kundër interesave të tyre. Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka paralajmëruar kundërpërgjigje, duke lënë të hapur mundësinë e krijimit të një blloku me Hungarinë, derisa mediat serbe e kanë përmendur edhe Sllovakinë. Ish-ministri i Brendshëm dhe ish zëvendësministër në FSK, Bejtush Gashi, thonë se krijimi i një blloku të ri, ashtu siç u paralajmërua nga Serbia, mund të ndikojë në balancën gjeopolitike të rajonit që mund të ketë pasoja edhe në integrimet euro-atlantike

Zyrtarët serbë kanë vijuar të dramatizojnë pas krijimit të aleancës ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, nëpërmjet deklaratës së firmosur javën e shkuar nga ministrat e mbrojtjes së të tria shteteve. Bashkimin në këtë deklaratë e kanë quajtur bosht të drejtuar kundër Serbisë. 

Si kundërpërgjigje, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, e ka përmendur krijimin e një aleancë me Hungarinë, derisa mediat serbe nuk e kanë përjashtuar as Sllovakinë, duke i konsideruar shtete mike të Serbisë. 

“Mendoj se gjithçka që forcon kapacitetin e Serbisë për të vepruar në mënyrë të pavarur në arenën ndërkombëtare, për të mbrojtur interesat e saj kombëtare dhe për të rritur nivelin e sigurisë së të gjithë qytetarëve, është pozitive. Ajo që është arritur në marrëdhëniet me Hungarinë në 12 vjetët e fundit, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes historike për Pajtimin Kombëtar, është pjesë e trashëgimisë për brezat e ardhshëm. Ky është një shembull evropian se si dy kombe mund të ndërtojnë një lloj të ri marrëdhëniesh dhe një arritje e madhe e politikës së presidentit Vuçiq”, ka thënë Gjuriq për “Blic”. 
Veç qëndrimeve kundër Kosovës, kryeministri hungarez, Viktor Orban, është i njohur për qëndrimet e tij proruse, ani pse shteti i tij është vend anëtar i NATO-s dhe BE-së. 

Gjuriq ka komentuar sërish rreth aleancës trepalëshe të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kësaj sfide i jemi përgjigjur me aleancën, të cilën shumë e quajnë një lloj boshti antiserb, me dinjitet, me argumente, duke iu referuar fakteve dhe duke kërkuar transparencë dhe braktisje të politikës së përçarjes dhe konfliktit. Qëllimi ynë nuk është ta fitojmë debatin, por ta zgjidhim problemin”, ka thënë Gjuriq.  

Gazeta “Blic” e Serbisë ka cituar edhe diplomatin Zoran Milivojeviq që  ka thënë se një nismë e tillë e këtij shteti duhet të konsiderohet edhe me Sllovakinë. 

Kundër bashkëpunimit të Kosovës me shtetet e tjera në fushën e sigurisë janë deklaruar edhe udhëheqës të Listës Serbe.

Kryetari i këtij subjekti, Zlatan Elek, tha se militarizimi i Ballkanit Perëndimor ka sjellë gjithmonë probleme dhe fatkeqësi. 

“Më vjen keq që disa nga qytetarët tanë në Serbinë qendrore nuk janë të vetëdijshëm se jemi nën sulm të ashpër nga ata që do të donin që Serbia të pushonte së ekzistuari, dhe që serbët të zhdukeshin nga Kosova, Republika Srpska, por edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut. Militarizimi i Ballkanit Perëndimor ka sjellë gjithmonë probleme dhe fatkeqësi. Prandaj na duhet stabilizimi i situatës në vend dhe forcimi i saj i mëtejshëm, gjë që do t’i shkëpuste të gjithë ata që mendojnë se Serbia është një grusht tërshërë që çdo sorrë e sjellë nga era mund ta gëlltisë”, ka thënë Eleku. 
Por nënshkruesit e deklaratës në takimin e Tiranës thanë se deklarata nuk u arrit për t’i kërcënuar shtetet tjera në Ballkan.

Edhe njohësi i Sigurisë, Bejtush Gashi, paralajmërimet e tilla nga Serbia i sheh në kuadër të një game të gjerë mekanizmash për të ruajtur dhe thelluar ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

“Ky angazhim ka përfshirë minimin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, duke përdorur destabilizimin politik dhe ushtarak si mjete për të mbajtur pozitat e saj strategjike dhe për të penguar përparimin e fqinjëve të saj drejt stabilitetit dhe integrimit në strukturat perëndimore. Në këtë kontekst, Serbia ka investuar në zhvillimin dhe fuqizimin e industrisë së saj ushtarake dhe ka kërkuar mbështetje nga aktorë të tjerë të jashtëm, si Rusia dhe Kina, për të rritur ndikimin në rajon dhe për të kundërshtuar politikat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Ky angazhim përfshin blerjen e armëve nga Kina dhe zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake dhe teknologjike me shtete që ndajnë një vizion të ngjashëm për sfidimin e hegjemonisë perëndimore”, ka thënë Gashi, ish-ministër i Brendshëm dhe ish-zëvendësministër i FSK-së.

Ai shton se Serbia ka kërkuar gjithmonë të ruajë një pozicion neutral ushtarak dhe të thellojë marrëdhëniet me fuqitë tradicionale si Rusia, ndërkohë që është gjithashtu e interesuar të zhvillojë lidhje me shtete të tjera, përfshirë Hungarinë dhe Sllovakinë. 

“Ky hap mund të shihet si një mundësi për Serbinë të thellojë bashkëpunimin ekonomik dhe politik në rajon dhe të sigurojë mundësi alternative për mbrojtjen e interesave të saj, veçanërisht në një periudhë kur ndikimi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara është gjithnjë e më i dukshëm në Ballkan”, ka potencuar ai. 

Gashi ka theksuar se një marrëveshje mes Serbisë dhe shteteve si Hungaria dhe Sllovakia mund të ndikojë në balancën gjeopolitike të rajonit. 

“Kjo mund të sjellë një ‘rivalitet’ në disa nivele, duke u kundërvënë përpjekjeve të Ballkanit Perëndimor për të forcuar lidhjet me Bashkimin Evropian, ndërkohë që shtetet si Hungaria dhe Sllovakia kanë interes për të ruajtur një balancë midis politikës perëndimore dhe atyre që favorizojnë lidhje më të ngushta me Lindjen, përfshirë Rusinë. Serbia, duke ruajtur një neutralitet të tillë ushtarak dhe duke thelluar lidhjet me këto shtete, mund të përpiqet të krijojë një zonë ndikimi që favorizon interesat e saj kombëtare dhe pengon avancimin e forcave perëndimore në rajon”, ka potencuar Gashi. 

Ai ka përmendur pasojat për rajonin nga tendencat që mund t’i shfaqë Serbia me aleatët e saj. 

“Ky veprim mund të ndikojë në proceset e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, pasi Serbia mund të përpiqet të krijojë një ‘front të lëvizshëm’ që pengon konsolidimin e rajonit dhe ndihmon në ruajtjen e një ‘status quo’-je që është e favorshme për interesat serbe. Në një periudhë gjeopolitike të ndërlikuar, një marrëveshje mes Serbisë, Hungarisë dhe Sllovakisë mund të sjellë tensione të reja dhe të thellojë ndarjet mes vendeve të Ballkanit dhe pjesës tjetër të Evropës. Forcimi i ndikimit të Serbisë në rajon mund të shkaktojë shqetësime për shtetet e tjera të Ballkanit, të cilat mund të ndihen të margjinalizuara dhe të vënë në rrezik përpjekjet e tyre për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Po ashtu, një aleancë e tillë mund të shkaktojë rivalitete të reja dhe të destabilizojë ekuilibrin delikat gjeopolitik në rajon, duke rritur mundësinë e konflikteve të fshehura ose të hapura”, ka potencuar Gashi. 

Memorandumi Kosovë-Shqipëri-Kroaci i firmosur në Tiranë më 18 mars, synon fuqizimin e industrisë ushtarake, modernizimin e kapaciteteve dhe përballjen me sfidat e sigurisë në Ballkan. 

Nënshkruesit theksuan se bashkëpunimi nuk kërcënon askënd, por është garanci për stabilitetin dhe paqen në rajon. 

Në preambulë tregohet se deklarata është firmosur duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal. Po ashtu, edhe duke riafirmuar synimin për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian.

Po ashtu, në preambulë theksohet se deklarata është arritur, edhe duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar.

“Marrja e veprimeve të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse duke pranuar ambiciet që rrjedhin nga koncepti strategjik i NATO-s dhe Busulla Strategjike e Bashkimit Evropian, të konceptuara për të rritur aftësinë tonë për të mbrojtur territoret dhe njerëzit tanë, si dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shkruan në preambulë. “Avancimi i hapave të përbashkët bëhet edhe për të rritur bashkëpunimin e prodhimin industrial të mbrojtjes në përputhje me Zotimin e NATO-s për Zgjerimin Industrial dhe planin e Bashkimit Evropian për ‘Riarmatosjen e Evropës’”. 

Sipas nënshkruesve, deklarata Kosovë-Shqipëri-Kroaci lë mundësinë që edhe vendet e tjera t’u bashkohen, teksa është bërë e ditur se ftesë ka marrë Bullgaria.