“Drenica 1”

Sylejman Selimi i pafajshëm në akuzën për keqtrajtim të një personi

Sylejman Selimi

“Trupi gjykues pas vlerësimit të këtyre deklaratave ka nxjerrë konkludimin se fillimisht nuk është arritur të vërtetohet se cilit person ia kanë cenuar integritetin trupor dhe shëndetin tani të akuzuarit për faktin se nuk është arritur të identifikohet e as nuk është arritur të identifikohen dëshmitarë të tjerë potencialë prej të cilëve do të mbështetej dëshmia e dëshmitarit A. Kjo gjykatë vë theks të veçantë në faktin se dëshmia e një dëshmitari si e vetme pa mbështetje në asnjë provë tjetër ka qenë e mangët në rastin konkret për ta arritur standardin e të provuarit në rastet e krimeve të luftës”, ka thënë kryesuesi i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, gjatë shpalljes së aktgjykimit

Ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi, dhe ish-luftëtari Jahir Demaku janë liruar të enjten nga akuza për krime lufte në Gjykatën Themelore në Prishtinë. 

Trupi gjykues në rigjykim të rastit “Drenica 1”, i kryesuar nga gjykatësi Ngadhnjim Arrni, ka konstatuar se nuk ka prova që Selimi e Demaku kanë keqtrajtuar një person nga Shipoli i Mitrovicës në Likoc të Skenderajt, në periudhën gusht-shtator të vitit 1998. 

“Trupi gjykues pas vlerësimit të këtyre deklaratave ka nxjerrë konkludimin se fillimisht nuk është arritur të vërtetohet se cilit person ia kanë cenuar integritetin trupor dhe shëndetin tani të akuzuarit për faktin se nuk është arritur të identifikohej e as nuk është arritur të identifikohen dëshmitarë të tjerë potencialë prej të cilëve do të mbështetej dëshmia e dëshmitarit A. Kjo gjykatë vë theks të veçantë në faktin se dëshmia e një dëshmitari si e vetme pa mbështetje në asnjë provë tjetër ka qenë e mangët në rastin konkret për ta arritur standardin e të provuarit në rastet e krimeve të luftës”, ka thënë Arrni gjatë shpalljes së aktgjykimit. 

Artan Qerkini, avokat i Selimit, ka thënë se vendimi ka qenë i pritshëm pasi që ishte i bazuar vetëm në dëshminë e dëshmitarit “A”.

“Deklarimet e dëshmitarit ‘A’ në lidhje me këtë pikë të aktakuzës kanë qenë jashtëzakonisht kundërthënëse dhe nuk kanë pasur mbështetje në prova të tjera, andaj, si të tilla, nuk e kanë plotësuar standardin e kërkuar nga gjykata në mënyrë që një person të mund të shpallet fajtor. Të mos harrojmë se edhe gjykata e shkallës së parë e EULEX-it kishte vendosur njëjtë, mirëpo gjykata e shkallës së dytë e kishte ndryshuar vendimin dhe pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë rasti ishte kthyer në rivendosje dhe natyrisht që jemi të kënaqur me këtë vendim”, ka thënë ai. 

Selimi dhe Demaku janë dënuar paraprakisht për krime lufte, përkatësisht keqtrajtim të të ndaluarve në Likoc. Por rasti për të cilin është gjykuar së fundi është kthyer në rigjykim, si pikë e vetme e aktakuzës.

Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2015 e ka dënuar Selimin me tetë vjet burgim për keqtrajtim të të ndaluarve në fshatin Likoc. Me aktgjykimin e kësaj gjykate janë dënuar edhe Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Isni Thaçi me nga shtatë vjet burgim, ndërsa me tre vjet burgim janë dënuar Nexhat Demaku, Agim Selmani, Driton e Bashkim Demaj dhe Fadil Demaku. 

Më 2016, Gjykata e Apelit ia pati zbutur dënimin Sylejman Selimit për një vit. E, pas ankesave të mbrojtjes në Supreme, kjo gjykatë e ka kthyer rastin në rigjykim vetëm për pikën 6 të aktakuzës, për të cilën Selimi dhe Demaku janë liruan të enjten. 

Rasti “Drenica 1” është një prej 13 proceseve gjyqësore që nuk janë zhvilluar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë që nga viti 2019, pasi që me vendim të Këshillit Gjyqësor (KGJK) ato janë bartur në Gjykatën Themelore në Prishtinë janarin e sivjetmë. 

Ndalimi i civilëve shqiptarë në Likoc është përmendur edhe në gjykimin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi në Dhomat e Specializuara në Hagë.