Gazetarja e KOHËS, Valbona Bytyçi, e cila po i ndjekë zhvillimet e fundit në komunën e Zveçanit, ka raportuar se prania e Policisë së Kosovës të mërkurën nuk është vërejtur në këtë komunë.
Në një lidhje direkte për emisionin “60 Minuta” në KTV, Bytyçi ka thënë se gjenden vetëm dy autoblinda të Policisë në hyrje të komunës.
“Të gjitha sulmet qysh nga fillimi i protestave deri më tani janë bërë në prani të pjesëtarëve të KFOR-it, ndonëse jo të Policisë së Kosovës pasi që prania e tyre nuk është vërejtur në Komunën e Zveçanit, përveç dy autoblindave që gjenden fare pranë hyrjes së komunës së Zveçanit, nuk kemi parë ndonjë pjesëtarë tjetër të Policisë së Kosovës duke lëvizur apo duke qëndruar pranë rrugës së bllokuar apo pranë kordonit të KFOR-it”, ka thënë ajo.
Gazetarja e KOHËS ka shtuar se aktualisht numri i protestuesve që po qëndrojnë para pengesave të vendosura nga KFOR-i ka rënë dukshëm, ndërsa situata është e qetë.
“Ka vetëm disa grupe të caktuara deri në 10 persona që po vazhdojnë të qëndrojnë aty, ndonëse nuk është dhënë ndonjë lajm lidhur me shpërndarjen apo përfundimin zyrtar të protestës që ka nisur para orës 07:00 të mëngjesit. Aktualisht situata është e qetë, nuk ka lëvizje që do të shkaktonte tensione apo ndonjë veprim tensionues dhe një situatë e tillë ka mbretëruar gjatë gjithë ditës”, është shprehur ajo.
Bytyçi ka theksuar se edhe të mërkurën ka pasur sulme të shumta ndaj gazetarëve, ku u janë demoluar veturat dy mediumeve dhe është sulmuar një gazetar.
“Lam pasur personalisht raste kur qysh në mëngjes është provuar nga një djalë i ri i maskuar që të më merret telefoni nga duart derisa isha duke transmetuar direkt në portalin KOHA.net fillimin e protestës së serbëve”, ka thënë ajo.
