Arbëri

Sveçla: Vrasja e policit Lika, sulm ndaj institucioneve të Kosovës

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se vrasja e policit Muhamed Lika në Kaçanik është sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Kosovës, duke shtuar se aparati shtetëror është i mobilizuar të arrestojë dorasin.

Ai ka shkruar në Facebook të mërkurën se kontributi i rreshterit Lika si në çlirimin e Kosovës, ashtu edhe në garantimin e rendit “do të mbetet shembull për secilin zyrtar policor në shërbim”.

“Sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Vrasja e mbrëmshme e Rreshterit të Policisë së Kosovës Muhamed Lika ka prekur rëndë secilin prej nesh dhe gjithë Policinë e Kosovës. Që nga momenti që kam marrë lajmin jam në komunikim të vazhdueshëm me Policinë, me kërkesën që sa më parë të zbulohet vrasësi dhe të gjitha rrethanat e këtij krimi”, ka deklaruar ai.

Sveçla iu ka shprehur ngushëllime familjarëve të zyrtarit policor, derisa shtoi se ai shebreu me guxim dhe vullnet.

“Ftoj dorasin apo dorasit që sa më parë të dorëzohen në organet e rendit, meqë i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar të zbulojë dhe arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje. Kontributi i Rreshter Muhamedit si në çlirimin e vendit ashtu edhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, do të mbetet shembull për secilin zyrtar policor në shërbim”, ka thënë ai.