Arbëri

Sveçla viziton policin e plagosur në Klinë: Hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë

Xhelal Sveçla, Facebook

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se ka vizituar policing Januz Veselaj që ditë më parë është plagosur gjatë një intervenimi në një vjedhje në një kishë në Zllakuqan.

Ai shkroi në Facebook se e ka përgëzuar policin për reagimin e shpejtë dhe profesional “si dhe për rezistencën përballë plaçkitësve që rrezikuan jetën e tij”.

Sveçla ka potencuar se polici Veselaj e kishte gjendjen të rënduar, por rikuperimi po i vijon mirë.

“Hetimet në identifikimin e kryesve të tentim vjedhjes dhe plagosjes së Januzit janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë. Kryesit e këtij akti dhe kushdo që do të tentojë të kryejë akte të tilla, do të përballet me gjithë forcën e ligjit”, ka shtuar ai.

Polici është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me persona të dyshimtë në fshatin Zllakuqan të Klinës më 9 maj, e Sveçla pati kërkuar që përgjegjësit të sillen sa më parë para drejtësisë.