Arbëri

Sveçla thotë se Serbisë po i dështon “shkolla ruse” për destabilizim të Kosovës

Xhelal Svecla

Foto: Arkiv

Foto: Alban Bujari

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbisë është duke i dështuar “shkolla ruse” për destabilizim të Kosovës dhe rajonit.

Bllokadat e fundit në rrugët e Serbisë, që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Kosovën, Sveçla i ka quajtur vazhdimësi të përpjekjeve destabilizuese.

“Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës duke kombinuar propagandën, operacionet subversive, ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride, sipas shkollës ruse. Dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese, kanë acaruar Vuçiqin, Vuçeviçin, Vulinin, Radojçiqin, të cilët të dëshpëruar, po synojnë ende që “shkollën ruse” për destabilizim, ta implementojnë në rajon”, ka shkruar ai në Facebook.

Sveçla ka numëruar nëntë pika, të cilat i ka quajtur dështime të Serbisë. Ai ka thënë se Serbia ka dështuar t’i arrijë qëllimet politike përmes barrikadave në veri; sulmit në Banjskë; synimet për trazira në komunat në veri përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve e fushatave propaganduese; për t’i mbrojtur grupet e strukturuara kriminale; destabilizimin përmes trafikimit masiv të armëve; synimet për inskenim të incidenteve ndaj serbëve në jug për ta fajësuar Kosovën; fushatat e orkestruara për kinse spastrim etnik e krizë humanitare; presionet ndaj qytetarëve të Kosovës, kryesisht përmes represionit të shtetit dhe grupeve kriminale dhe bllokimit të pikave kufitare së fundmi.

“Lista e dështimeve të tyre është e gjatë dhe do të vazhdojë të rritet, deri sa ta kuptojnë përfundimisht, që sovraniteti i Kosovës nuk mund të cenohet, orientimi Euro-Atlantik i rajonit, nuk ka kthim”, ka përfunduar Sveçla.

Të shtunën pasdite, Sveçla njoftoi se pikëkalimet kufitare në Bërnjak e Merdar, që u mbyllën në mbrëmjen e së premtes, tashmë janë hapur. MPB-ja mori vendimin për lejim të qarkullimit pas njoftimit se grupet ekstremiste larguan bllokadat në territorin e Serbisë. Kalimi i qytetarëve përmes këtyre dy pikave ka qenë i pamundur deri në orën 17 të pasdites.