Arbëri

Sveçla: S’ka ikje masive të qytetarëve

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk ka ikje masive nga Kosova, por vetëm raportime dezinformuese nga ato që i ka quajtur “media të papërgjegjshme”. Në të dhënat e publikuar nga ai, nga periudha e liberalizimit të vizave (1 janar 2024), më shumë autobusë kanë hyrë sesa kanë dalë nga Kosova. 

Gjatë të premtes, në opinion bëri bujë lajmi se rreth 400 autobusë në ditë po nisen drejt shteteve të Evropës nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë. Por kjo u demantua nga vetë Stacioni i Autobusëve, të cilët thanë se aty janë llogaritur edhe nisjet ndërurbane.

E Sveçla ka thënë se këto “dezinformime” po përdoren pastaj për qëllime dashakeqe nga Serbia.

“Raportimet për “ikje masive” të qytetarëve tanë, veçanërisht përmes transportit me autobusë janë të pavërteta. Ato me ose padashje krijojnë panikë te qytetarët dhe rëndom përdoren pastaj për qëllime politike e dashakeqe kundër shtetit tonë nga Serbia. Lajmet e tilla janë demantuar nga Stacioni i Autobusëve e po ashtu demantohen lehtësisht edhe nga të dhënat e Policisë së Kosovës/Departamenti i Kufirit, ku dëshmohet se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” të qytetarëve tanë apo flukse të autobusëve”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sipas të dhënave nga pikat kufitare, të publikuara nga Sveçla, nga 1 janari i këtij viti, kur janë liberalizuar vizat e deri më sot, në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, ndërsa kanë dalë nga të gjitha pikat kufitare 2408 autobusë.

“Për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” por me raportime dezinformuese nga disa mediume të papërgjegjshme, për të njejtën periudhë kohore, në vitin që lamë pas kanë hyrë 3511 autobusë ndërsa kanë dalur nga pikat kufitare 3731 autobusë. Pra, 35% më pak autobusë kanë dalur këtë vit pas liberalizimit të vizave sesa në vitin e kaluar”, ka shkruar Sveçla.

Ministri i Brendshëm ka thënë se procesi i menaxhimit të udhëtimeve pas liberalizimit të vizave po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Procesi i menaxhimit të udhëtimeve pas liberalizimit të vizave është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme për çka u jam mirënjohës stafit të Aeroportit, zyrtarëve tanë policor atje si dhe zyrtarëve policor kudo në pikat tona kufitare. Natyrisht, ju bëj thirrje edhe mediave për korrektësi në raportim të lajmeve rreth kësaj teme dhe jo vetëm. Të gjithë qytetarët i falënderoj për respektim të procedurave të udhëtimit pa viza dhe ju dëshiroj rrugë të mbarë si në vajtje ashtu dhe ardhje në vendin e tyre!”, ka shkruar tutje Sveçla.