Arbëri

Sveçla: Rama me PZHK-në po tenton 30% më shumë beton në Prishtinë

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka thënë se kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, me Planin e ri Zhvillimor Komunal po tenton ndërtime të reja për katër milionë metra katrorë apo 30 për qind më shumë nga sa janë tani.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Sveçla ka thënë se vija ndërtimore kalon nëpër zonat bujqësore dhe ato ujore që është në kundërshtim me ligj. 

“Ideja e parë është që jo çdo dokument mund të vihet në diskutim publik. Ky dokument është i jashtëligjshëm. Para se t’i sillet asamblistëve, duhet të largohen vërejtjet. Aty flitet për zgjerim të kufirit ndërtimor që i bie krijimi i vendbanimeve të reja në zona që momentalisht janë të pabanueshme, janë zona të gjelbra, kodra, male, me PZHK-në e re parashikohet që të krijohen vendbanime të reja. Z.Rama edhe në prononcimin për media tha se parashihen 4 milionë metra katrorë ndërtime të reja. Prishtina sot ka rreth 12 milionë metër katrorë ndërtime, sipas PZHK-së rreth 30 për qind pritet të shtohet numri i ndërtimeve. 30 për qind më shumë beton. Kjo vijë ndërtimore kalon nëpër zona bujqësore, rrezikon zonat ujore që është në kundërshtim me Ligjin për ujërat”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk mund të shkojë në konsultim publik një dokument i jashtëligjshëm. 

“Është e çuditshme konsistenca e z.Rama për të kaluar dokumente të jashtëligjshme. Është e vërtetë që drafti është gati që 1 vjet e gjysmë siç tha ai, por nuk ka punuar asnjëherë në atë drejtim që t’i eliminojë vërejtjet apo shkeljet ligjore që janë konstatuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor. Për një vit e gjysmë z.Rama, ekzekutivi i Prishtinës dhe subjekti i tij LDK-ja në vend se të tentojnë t’i përmirësojnë këto dhe të procedojnë me PZHK-në, ata gjithmonë draftin e njëjtë kanë tentuar që ta kontrabandojnë përmes asamblistëve”, ka shtuar ai.

Sveçla tutje ka akuzuar Ramën për deklarata të pavërteta në adresimin e tij për media gjatë ditës.

“Z.Rama sot tha shumë të pavërteta. Tha se kanë biseduar me çdo lagje. Në dokumentin që na e kanë dorëzuar ne asamblistëve flitet për 6 diskutime publike që i ka bërë ai më 2022. Vetëm në gjashtë lagje të qytetit ka qenë. Nuk e di një projekt të vetëm që ka filluar dhe ka përfunduar gjatë qeverisjes Rama”, ka thënë ai.