Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë të shqetësuar me vërshimet e mëdha me të cilat është ballafaquar qyteti i Pejës të shtunën në mbrëmje “dhe të pikëlluar që këto vërshime morën jetën e dy qytetarëve tanë”.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se që nga fillimi i përkeqësimit të situatës, të gjithë akterët e nivelit qendror kanë qenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë për reagim dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me nivelin lokal ku po bëhet vlerësim sistematik i situatës.
“Shprehë ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve Ademaj dhe Hoxhiq për humbjen e më të dashurve të tyre. Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin dhe komunikimin e vazhdueshëm mbrëmë me Qendrat Operative Emergjente dhe njëkohësisht i ftoj që për çdo kërkesë apo informacion të vijojnë të kontaktojnë pa pagesë në numrin emergjent 112, Policinë e Kosovës 192 dhe Zjarrfikësit 193”, ka shkruar ai.
Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, së bashku me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe me përfaqësues të AME-së, Policisë së Kosovës dhe FSK-së, kanë parë nga afër gjendjen pas vërshimeve të mbrëmshme në Pejë. Sipas njoftimit, ata vizituan lagjet Asllan Qeshme, Xhemajl Kada dhe Fidanishte të cilat janë dëmtuar dhe prekur më shumë nga këto vërshime.
Vizituan familjen Ademaj për t’i shprehur ngushëllime për dy më të dashurit e tyre që humbën jetën tragjikisht nga këto vërshime. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vënë në dispozicion gjithë kapacitetet për të ndërhyrë aty ku ka nevojë. Njësitet e kërkim-shpëtimit që nga mbrëmë kanë qenë në terren për të ndihmuar në përballimin e situatës”, thuhet në njoftim.