Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas konfiskimit të armëve në pjesën veriore që dyshohen të kenë mbetur aty pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se mbetjet kriminale të Milan Radoiçiqit po çrrënjosen nga veriu i vendit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka ndarë edhe disa fotografi nga rezultati i operacionit, Sveçla ka thënë se çdo ditë po zbulohen përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri.
“Në çdo ditë të punës sonë po zbulojmë përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri, të cilat kanë sulmuar apo kanë planifikuar të sulmojnë zyrtarët tanë dhe institucionet tona. Mbetjet kriminale të Milan Radojçiqit po i çrrënjosim nga veriu i vendit tonë. Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve e qytetarëve. Të njëjtit e sulmit të Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga Aleksandër Vuçiq”, ka thënë ai.