Arbëri

Sveçla: Janë ndaluar 16 persona, prej tyre 4 oficerë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë

Arrestim foto ilustrim

Foto ilustrim

Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se në një operacion të realizuar nga organet e sigurisë më datat 5 dhe 6 prill janë ndaluar gjithsej 16 persona të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. 

Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se katër prej të ndaluarve janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë. 

Katër persona janë ndaluar në Gjalkovë e 12 në Prizren. 

“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës. Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe”, ka njoftuar Sveçla. “Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”. 

Sveçla ka thënë se, bazuar në hetimet paraprake, është konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë togeri, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit që kreu sulm terrorist në Banjskë, Nemanja Radivojeviqin, të njohur si “Gandi”. E ky është i afërt i Vladimir Radivojeviqit, me nofkën “Miami”, që është i dyshuar kryesor për vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku. 

“Hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojeviq, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.  Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanoviq, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe. Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira. Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme. Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet tona të sigurisë”, ka shkruar Sveçla. 

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur të dielën një mbledhje me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku ndër të tjera është konstatuar se Serbia është duke ndërhyrë në mënyrë që të sabotohet themelimi i institucioneve të reja dhe legjislaturës së nëntë.

Sipas njoftimi të Qeverisë së Kosovës, kjo po bëhet me kërcënime e joshje.

“Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar 'de facto' i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet që nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Sigurisë vlerëson po ashtu se kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë.

“Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”, thuhet më tej në njoftim.

U diskutua edhe për arrestimet në Gjakovë. 

"U raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë. Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë".