Arbëri

Sveçla: Beogradi zyrtar është përgjegjës për shpërthimin në Ibër-Lepenc

Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjëse për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Kosova e mban përgjegjëse Serbinë.

“Sulmet e vazhdueshme të grupeve kriminale terroriste siç janë sulmet e fundit me granata në Zveçan dhe tani edhe sulmi i fundit terrorist i ndodhur mbrëmë ndaj infrastrukturës kritike janë sulme që dirigjohen nga Serbia dhe për këtë e mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar”, ka thënë ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Sveçla e ka cilësuar shpërthimin në Zubin-Potok si aktin më të rëndë të pasluftës.

“Ky sulm terrorist s’është vetëm një sulm i rëndomtë, por i organizuar dhe planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra synimi i tyre ka qenë të maksimizohet dëmtimi ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë tutje Sveçla.

Ai ka bërë të ditur se janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona të dyshuar mbi dyshimin për përfshirje në veprime kriminale e terroriste.

DETAJE PËR ARRESTIMET: 

Ai ka thënë se është konfiskuar një arsenal armësh, eksplozivësh e uniformash.

“Qeveria e Kosovës me institucionet e saj nuk do të ndalet derisa të gjithë këta kriminelë e terroristë të arrestohen dhe të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar më tej Sveçla.

Sveçla ka thënë se Kosova po përballet me luftë speciale hibride. Siç ka thënë ai sulmet po kryhen një pjesë edhe nga organizatat terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

“Brengën tonë se sulmet të tilla mund të ndodhin e kemi shfaqur edhe publikisht. Juve si media dhe përmes juve qytetarëve. Është e qartë që Serbia, qeveria e saj s’do të ndryshojë. S’dëshiron që të marrë rrugë demokratike përpara. Është e vendosur që të atakojë, të pengojë ritmin e Republikës së Kosovës. Tash patjetër se punohet në çdo informacion që vjen dhe falë këtyre informacioneve, bashkëpunimit me qytetarët edhe të këtyre katër komunave dhe profesionalizmit e përkushtimit të pakursyer të Policisë, ne kemi parandaluar shumë raste”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ka thënë se gjendja e sigurisë në Kosovë “asnjëherë nuk ka qenë më e mirë”. Por sipas tij, kjo s’do të thotë se s’mund të ndodhin sulme terroriste.

Ai ka lavdëruar institucionet e sigurisë për punën e kryer.