Arbëri

Suspendohet polici që shau pasi ia larguan flamujt dhe fotografinë e Adem Jasharit

Policia ka suspenduar një zyrtar policor në Magurë të Lipjanit, me arsyetimin se është përfshirë në një incident. Por, bazuar në deklaratën e policit e edhe në komunikimet e zhvilluara në një grup Viberi, masa është ndërmarrë pasi ai shau, kur pa se nga hapësira e brendshme në stacionin policor u hoq flamuri shtetëror e ai kombëtar, bashkë me fotografinë e Adem Jasharit.

E shara që e ka shkruar në një grup në Viber, ku komunikojnë policë të Stacionit në Magurë të Lipjanit, i ka kushtuar me suspendim nga puna zyrtarit policor, Zymer Kodra.

Incidenti nisi kur Kodra vendosi në një zyrë të stacionit flamurin shtetëror dhe atë kombëtar, e në mes të tyre edhe fotografinë e komandantit Adem Jashari.

Por, nuk qëndruan gjatë aty.

Në grupin në Viber ku janë 15 zyrtarë policorë, Kodra përdori të shara, kur pyeti se kush i hoqi flamujt dhe fotografinë.

Një nga kolegët iu kundërpërgjigj, duke i thënë se ai i kishte hequr dhe duke e paralajmëruar se do ta raportojë sharjen.

KOHA ka siguruar vendimin e Policisë për suspendimin e Kodrës, por në të cilin nuk përmendet rrethana që ka çuar në shqiptimin e masës.

“Dyshohet se punonjësi i Policisë së Kosovës është përfshirë në incidentin që paraqet shkelje të rëndë disiplinore apo vepër penale dhe duke u mbështetur në interesin e Policisë, punonjësi i cekur në vendim suspendohet përkohësisht nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore në afat prej tre ditësh”, thuhet në vendim.

Por, Kodra tha se u suspendua për gjuhën që përdori në grupin në Viber, pasi pa që ishin hequr nga hapësira e brendshme e stacionit flamuri shtetëror e ai kombëtar, bashkë me fotografinë e Adem Jasharit.

“Më falni, por nuk mund të prononcohem, sepse jam i suspenduar dhe janë disa procedura të tjera... Aktualisht jam emocionalisht i thyer shumë, por në fakt gjithçka lidhet me vendosjen e flamujve. Aty ka filluar gjithçka”, deklaroi Kodra.

Gjatë së premtes, Policia nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë rast.

E, bazuar në vendimin për suspendim, Kodra është obliguar ta dorëzojë kartelën identifikuese, armën zyrtare dhe pajisjet policore. Krahas kësaj, i është kufizuar edhe hyrja në objekt dhe në automjetet zyrtare të Policisë.