Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e mbajtur të enjten, ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.
Suspendimi i Stevanoviqit vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiqin, president i Serbisë.
Lajmi për suspendimin e Stevanoviqit u bë i ditur përmes një komunikate për media nga KGJK, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo ishte pjesë e grupit të serbëve të Kosovës që takoi Vuçiqin në Beograd, në ditën (22 mars) kur u mësua se Serbia nuk do të mund t’i organizojë zgjedhjet e saj edhe në territorin e Kosovës.
“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e radhës”, thuhet në njoftim.
Lajmi për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtares e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.
“Ju njoftojmë se Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, e autorizon kryetarin e Gjykatës Supreme që të hetojë përgjegjësinë disiplinore të kryetarëve të gjykatave, ndaj edhe për kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është duke u shqyrtuar rasti dhe shume shpejt do te procedohet ne KGJK”, tha thënë ajo.