Arbëri

Suspendohen tre zyrtarë policorë, dyshohet se morën pjesë në tubim politik

Ilustrim

Ilustrim

Policia e Kosovës njoftoi se ka suspenduar tre zyrtarë policorë, një kolonel, një major e një rreshter policor pasi dyshohet se kanë marrë pjesë në tubim apo aktivitet të natyrës politike.

Policia njoftoi të mërkurën se rekomandimi është bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës, duke shtuar se zyrtarët kanë rënë në kundërshtim me procedurat ligjore dhe me udhëzimet e brendshme të këtij institucioni.

“Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës i cili përcakton konfliktin e interesave, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa IPK-ja ka suspenduar një zyrtar policor, (të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor)”, thuhet në njoftimin e Policisë në Facebook.

Policia tutje tha se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe të autorizimeve ligjore e kushtetuese.

“Me qëllim të ruajtjes së besimit të publikut, ruajtjes së imazhit të Policisë si një ndër institucionet më të besuara dhe transparente, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe profesionalizmit të saj, duke shërbyer në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Policia e Kosovës me gjithë zyrtarët saj, kanë detyrë primare garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët dhe çdo përfshirje e zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e krijuar ndër vite ndaj Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Lexo përditësimet tjera
Inspektorati Policor i Kosovës IPK

IPK-ja rekomandon masa ndaj një koloneli e një majori të dyshuar për pjesëmarrje në tubime politike

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një koloneli policor dhe inicimin e procedurës disiplinore...