Arbëri

Surroi: Shqiptarët janë model në Evropë për shoqëri dinamike

Veton Surroi

Në një diskutim të fundit në podcastin “PIKË” në KTV, publicisti Veton Surroi ka ndarë mendimin se shqiptarët janë një model në Evropë për krijimin e shoqërive dinamike dhe policentrike. Sipas tij, shoqëritë shqiptare, përfshirë ato të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë arritur të krijojnë një harmoni të qëndrueshme mes diversitetit, duke përfaqësuar një shembull të shkëlqyer të bashkëjetesës në Evropën Juglindore.

Surroi në diskutim me regjisorin nga Shqipëria, Altin Basha, theksoi se ky proces ka qenë një vendim strategjik, ku ka marrë pjesë bashkë me kolegët e tij. 

“Domethënë, ka qenë ideja që nuk ekziston një qendër shqiptare, por ekzistojnë shumë qendra dhe ato qendra duhet, në diversitetin e tyre, të krijojnë një harmoni. Pra, dhe kemi dy shtete shqiptare më shumicë, Shqipërinë dhe Kosovën dhe pastaj kemi krijimin e prezencave të shtrira gjeografike. Pra, një shqiptar i Kosovës, i cili ka një apartament në Durrës, është po aq i shtrirë gjeografikisht dhe për të Durrësi nuk është shtet tjetër, nuk është as qytet tjetër, është një zgjatim i pranisë së tij. Dhe ky fenomen, për fat që keq, nuk ka funksionuar në drejtimin tjetër, por do të funksionojë një ditë. Do të ecën disi”, ka thënë ai. 

Një tjetër temë që Surroi preku ishte migrimi i shqiptarëve, ku diskutoi problemet e shpopullzimit dhe humbjen e rinisë, si dhe fenomenin e pranishëm të shoqërive shqiptare në Perëndim, sidomos në Zvicër dhe Gjermani. Ai shprehu shqetësimin për sfidat që paraqet ruajtja e lidhjeve me atdheun, duke përmendur faktin që shumë shqiptarë në diasporë, gjenerata atdhedashëse, i ruajnë lidhjet e tyre me Shqipërinë dhe Kosovën përmes pronës, një mekanizëm që ata e shohin, siç thotë Surroi, se mund t’i ruajë lidhjet me atdheun e tyre edhe për brezat e ardhshëm që lindin në Perëndim.

Surroi e përfundoi diskutimin duke besuar se do të vazhdojmë të shohim një prani gjithnjë më dinamike të shoqërive shqiptare në të ardhmen, pavarësisht vështirësive me të cilat po përballen sot.

Lexo përditësimet tjera
Podcasti Pike me Veton Surroin - Altin Basha

PIKË me Veton Surroin: Pse po e kopjon politika Portokallinë, Cimën e Lecin?

Në episodin e katërt të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi dhe mysafiri i këtij episodi, regjisori...