Publicisti Veton Surroi ka thënë se ky vit është “deadline” natyral për të arritur një marrëveshje Kosovë – Serbi. Ai në një intervistë për transmetuesin publik, ka treguar edhe arsyet pse ky vit është vendimtar.
“Ekziston një deadline natyral, është ky vit. Për shumë arsye. Njëra që nuk ka zgjedhje, arsyeja tjetër zgjedhjet amerikane vitin e ardhshëm, e treta këtë vit që do të thellohet lufta në Ukrainë. Duhet siguruar që në këtë moment historik për Evropën, Evropa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor të jenë të integruar brenda strukturave integruese të BE-së dhe të NATO-s e duhet të sigurohet një ecje e të tillë që e shkëput këtë rajon prej ndikimeve malinje të së ardhmes nga Rusia”, tha Surroi në “RTK Prime”.
Surroi ka folur edhe për zhvillimet e fundit në dialog, por edhe historikun e këtyre bisedimeve.
“Hapi i parë është që Kosova e Serbia të pranojnë edhe formalisht se kanë hyrë proces negociator në bazë të parimeve të panegociueshme të planit franko-gjerman. Dhe unë besoj se kjo tashmë po ndodh dhe kurdo që të ketë takim të parë, në të ardhmen. Kurdo që të ndodhë në të ardhmen e afërt, po flasim brenda këtij muaji, do të kemi fillimin e procesit negociator, i cili pastaj do të jetë shumë më i vështirë. Kjo ka qenë pjesa më e lehtë, që palët dakordohen të hyjnë në një proces me parime të pangociesueshme. Këto parime shumë e ndihmojnë, kanë kornizë që e racionalizojnë procesin negociator. Por, çfarë do të jetë procesi negociator. Do të jetë bukur i vështirë”, tha Surroi.
Surroi ka thënë se Kosovës i duhet uniteti politik në dialog.
“Është mirë që të ketë konsultime mes pushtetit dhe opozitës, jo vetëm me deklarime”, tha ai.
Surroi tha se është pro fillimit të procesit negociator dhe duke ruajtur caqet strategjike, si anëtarësimin në NATO e BE, etj.
Surroi ka folur edhe për presidentin e SHBA-së, Joe Biden. Ai ka thënë se Bideni është njohësi më i mirë i Ballkanit nga të gjithë presidentët amerikanë ndonjëherë.
Publicisti Veton Surroi, që ishte një ndër protagonistët në bisedimet e vitit 1999 në Rambuje, ka treguar se në atë kohë kishte unitet politik në Kosovë.
“Në fakt uniteti u mbërrit me shumë mund të madh, përfshirë edhe presionin amerikan, përfshirë edhe premtime të ndryshme, por në fund u mbërrit”, tha Surroi, duke shtuar se në fund ishte oferta në tavolinë ishte lërë ose merre.