Publicisti Veton Surroi ka thënë se 20 vjetët e fundit janë vitet ku njerëzit në Kosovë nuk kanë qenë të persekutuar nga Qeveria e Policia. Ai ka folur gjatë një paneli të organizuar nga Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare Ekonomike, të mërkurën, ku është biseduar për 30-vjetorin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Surroi ka bërë një krahasim mes periudhës në ish-Jugosllavi dhe të sotme.
“Krahasimi më i madh është se 20 vitet e fundit kanë qenë vitet ku shumica e njerëzve në Kosovë nuk kanë qenë të persekutuar nga Qeveria e policia. Është hera e parë që sheh policët e nuk frikësohesh. Është një ndryshim dramatik. Tjetra është se janë dy gjëra që mungojnë në shekullin 21-të ndonëse kishim në shekullin 20. Një shtet socialist, nuk e kemi këtë në Kosovë. E dyta është izolimi. Ne duhet t’u kujtojmë gjeneratave të reja që kemi shkuar rregullisht pa telashe në Kroaci e Slloveni. Një fëmijë kosovar sot e ka të vështirë të kuptojë se si kemi qenë në gjendje të udhëtojmë me pasaportën e ish-shtetit socialist të Jugosllavisë në gjithë Evropën”, ka thënë Surroi.
Ekspertë politikë dhe ekonomikë nga rajoni sot në një tryezë kanë diskutuar për ndarjen e Jugosllavisë në mënyrë dramatike dhe zhvillimet prej asaj kohe.
Panelistët kanë shkëmbyer pikëpamja përse integrimi i rajonit në BE dhe proceset e arritjes ekonomike kanë qenë kaq zhgënjyese në 30 vitet e fundit dhe si politika tani mund të ndryshojë në nivelet lokale dhe të BE-së për të arritur stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik për vendet e ish Jugosllavia.
Në panel morën pjesë edhe ish-zëvendëskryeministrja e Kroacisë, Vesna Pusiq, profesori i fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Ljubljanës, Mojmir Mrak, po ashtu hulumtuesi dhe eksperti për Ballkanin Perëndimor, Vladimir Grigorov dhe ishte i kryesuar nga Branimir Jovanoviq, ekspert i Ballkanit dhe ekonomist.
Mrak ka thënë se bota ka ndryshuar shumë në 30 vjetët e fundit. Ai ka thënë se të rinjtë sot opinionin për ish-Jugosllavinë e kanë të bazuar nga ajo çfarë u thonë të moshuarit. Por ai ka thënë se Jugosllavia ishte një ekonomi socialiste. Ka treguar për përfitimet që kishin kompanitë dhe se si punëtorët në Jugosllavi i konsideronin kompanitë si të tyret, e nuk mendohej për privatizime në atë kohë.
Ndërkohë Vesiq ka thënë se opinionet e shumicës bazohen edhe në luftërat brutale që kanë ndodhur në Bosnjë, një pjesë të Kroacisë e Kosovë. Ajo thotë se këto kanë ndikuar në mendimin e njerëzve.
Në pyetjen po të ishte çështja ekonomike më e mirë a do të shpërbëhej ish-Jugosllavia, Surroi, ka thënë se nga viti 1981 ishte bërë e qartë se njerëzit nuk mund të jenë të barabartë në ish-Jugosllavi. Ishte shtypja e shqiptarëve në Kosovë. Mentaliteti i supremacisë të serbëve. Ai thotë se Serbia po udhëhiqet nga kjo çasje e trashëguar nga Sllobodan Millosheviqi.
E në pyetjen nëse Kosova ishte arsye për shpërbërjen e Jugosllavisë, Surroi tha se ishte maja. Ai tha se kjo ndodhi me Millosheviqin që tregoi fashizmin e tij. Ai tregoi se nuk do të angazhohet në transformim e në demokraci.
Miomir Mrak tha se përkundër problemeve ekonomike, prapëseprapë problemet politike ishin ato që ndikuan në shpërbërjen.
“Mendimi im është se arsyet ekonomike ishin aty, ekonomia nuk ishte e shkëlqyer. Me një situatë më të mirë ekonomike do të mund të shtyhej, por pa ndryshime politike nuk do të ndryshonte asgjë”, tha Mrak.