Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë, se si do të trajtohen krizat nga Perëndimi pas zgjedhjeve në SHBA dhe Gjermani, do të kenë ndikim të madh në vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për “European Western Balkans”, Surroi ka thënë se është koha për reflektime për të ardhmen.
“Jemi në një fazë të transformimeve historike. Është kohë e gjeopolitikave në të cilat ka luftë në Ukrainë dhe një luftë të intensifikuar në Lindjen e Mesme dhe gjasa për zjarre në vende të tjera. Prandaj, mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë, mënyra se si Perëndimi pas zgjedhjeve në SHBA dhe atyre në Gjermani do ta gjejë narrativen e re në adresimin e këtyre krizave, do të ketë ndikim të madh në rrugën përpara në dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë Surroi.
Surroi ka vlerësuar se dialogu mbërriti pikun me Marrëveshjet në Bruksel dhe Ohër. Sipas tij, tani situata është e tillë që Kosova dhe Serbia duhet të kuptohen nga pikëpamja e stabilitetit të Evropës. Prandaj, sipas tij, duhet të ketë riangazhim me theks të ri.
Ai po ashtu ka thënë se përkundër problemeve që ka Kosova me Serbinë, ato janë më pak në vëmendje për shkak të krizave të tjera në botë.
Për ardhjen e Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Surroi ka thënë se çfarëdo vëmendje që kjo administratë e re ia jep dialogut, ajo duhet të jetë në një zë me politikën evropiane.
“Duhen energji dhe ide të reja”, ka thënë Surroi.
Surroi ka thënë se nuk është e drejtë që të krijohet ndërlidhje mes presidentit Trump dhe idesë së shkëmbimit të territoreve. Sipas tij, ideja e ka origjinën në vetë rajonin dhe “ka qenë e mbështetur nga Federica Mogherini (ish-përfaqësueses së lartë të BE-së), që ishte dështim i pastër i politikës së Bashkimit Evropian”.
“Në kohën kur mbërriti në administratën amerikane përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tashmë ishte ide e pjekur. Nuk mendoj se do të ketë imponim të ideve me afat të skaduar”, ka thënë ai.
Surroi e ka vlerësuar sfidë të madhe krijimin e një kulture paqeje mes dy shoqërive, edhe nëse arrihet ndonjë pajtim politik.