Gjykata Supreme ka marrë vendim lidhur me kërkesën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) për masë të përkohshme për Rregulloren për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, e cila rregullon punën e ndërmarrjes “Prishtina Parking”.
“Kërkesa për vendosje te masës se sigurisë është refuzuar, ndërsa sa i përket vendosjes së çështjes sipas padisë, së shpejti, sapo të plotësohen kushtet ligjore, do të caktohet edhe seanca gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për KOHËN.
GLPS-ja të hënën e kaluar dorëzoi padi në Gjykatën Supreme me të cilën kërkoi shfuqizimin e rregullores së “Prishtina Parking”. Gjithashtu ishte kërkuar që Gjykata të vendosë për ndalimin e të gjitha efekteve juridike që i ka kjo rregullore.
Lidhur me këtë masë, Supremja pati kohë 7 ditë pune për vendim, bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative, bazuar në të cilin është ngritur padia.
Në padi, GLPS-ja ka gjetur 9 nene të rregullores që sipas tyre bien ndesh me ligje të ndryshme, përfshirë atë të komunikacionit.
Organizata si të kundërligjshëm ka identifikuar nenin për vendosjen e bllokadave në rrotat e veturave nga kontrollorët e “Prishtina Parking”, konfiskimin e veturave. Në padi gjithashtu, GLPS-ja e ka kundërshtuar edhe nenin 12 të Rregullores, i cila parasheh që “Prishtina Parking” nuk mban përgjegjësi për dëmet që u shkaktohen automjeteve të parkuara në vendparkingjet nën menaxhimin e ndërmarrjes e as kompensimin e dëmeve eventuale.
Sipas paditësit, kjo dispozitë e zhvesh “Prishtina Parkingun” nga përgjegjësia për të kompensuar dëmet duke mundësuar kështu vetëm profit për ndërmarrjen dhe asnjë siguri për shfrytëzuesit e parkingjeve.