Arbëri

Supremja i jep të drejtë Ministrisë ta padisë “gjykatën e tenderëve”

Ministria e Shendetesise

Nga tash, institucionet publike që nuk pajtohen me vendimet obligative të Organit Shqyrtues të Prokurimit kanë të drejtë që t’i kundërshtojnë ato nëpërmjet padive në gjykatë. Ministria e Shëndetësisë e ka paditur OSHP-në muaj më parë. Dy gjykata, ajo Themelore dhe Gjykata e Apelit, kanë thënë se Ministria nuk mund të ushtrojë padi të tilla. Por Gjykata Supreme i ka shembur këto praktika gjyqësore. Ajo ka theksuar se këto padi janë të ligjshme dhe si të tilla, duhet të gjykohen

Gjykata Supreme e Kosovës ka rrëzuar vendimet e dy gjykatave më të ulëta, asaj Themelore dhe të Apelit, me anë të të cilave Ministrisë së Shëndetësisë nuk i ishte njohur e drejta për të ushtruar padi kundër vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Në dy raste të ndara, Ministria e Shëndetësisë ka paditur OSHP-në me justifikimin se vendimet e “gjykatës së tenderëve” në lëndët për barna mund të shkaktojnë pasoja të mëdha. Në që të dy rastet, Ministria e Shëndetësisë ka anuluar dy tenderë të ndryshëm, porse OSHP-ja ia kishte rrëzuar vendimet, duke u dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë.

Themelorja dhe Apeli kanë pretenduar se për që të dy rastet Ministria e Shëndetësisë nuk mund t’i atakojë vendimet e OSHP-së, të cilat e detyrojnë institucionin që ta rivlerësojë tenderin për shkak se vendimet nuk janë të formës së prerë.

Por Gjykata Supreme ka pretenduar krejt tjetër çka në lidhje me padinë e Ministrisë kundër OSHP-së, e cila ka të bëjë me tenderin për furnizim me barna për shërbimin shëndetësor në burgje.

“Me anulimin e vendimit të autoritetit kontraktues të Ministrisë së Shëndetësisë, nga organi më i lartë kompetent për vendosje sipas ankesës, paditësja ka të drejtë të konsiderojë se është cenuar ligji, e drejta materiale dhe të kërkojë nga gjykata që të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së tij dhe të propozojë që i njëjti të anulohet si jo i drejtë dhe ligjor”, është thënë në vendimin e Gjykatës Supreme.

Vendimet e Gjykatës Supreme janë obligative. Kjo gjykatë ka argumentuar se është i paqëndrueshëm interpretimi që kanë bërë dy shkallët e para të gjykatës, kur nuk e kanë pranuar fare për trajtim padinë e Ministrisë.

“Baza ligjore, përkatësisht neni 34, paragrafi 1, pika 5, në të cilën bazohen vendimet e gjykatave të instancës më të ulët me hedhjen e padisë si të palejueshme sipas të cilit parashihet se ‘është fjala për çështjen për të cilën sipas dispozitës shprehimore të ligjit nuk mund të zhvillohet konflikti administrativ’, nuk është e qëndrueshme, sepse sipas kësaj dispozite të cituar, por edhe nga paragrafët e tjerë të këtij neni, nuk është krijuar asnjë rrethanë për hedhjen e padisë, pra, nuk parashihet që një vendim i nxjerrë sipas ankesës në procedurë administrative që ndaj tij nuk mund të fillojë konflikti administrativ”, theksohet nga Supremja.

Vendimi i Supremes është shkruar më 15 qershor të këtij viti, porse palëve u është dorëzuar në fillim të kësaj jave.

Ministria e Shëndetësisë dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit vazhdimisht kanë pasur mospajtime, e veçanërisht në tenderin për furnizim me barna për burgje dhe në tenderin për insulina.

Ministria e Shëndetësisë pretendonte që të gjitha vendimet e kësaj trupe për këtë çështje e rrezikojnë shëndetin publik.