Arbëri

Supremja e refuzon si të pabazuar ankesën e kandidatit për deputet të PDK-së

Vota - zgjedhjet 2025

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Hajdari, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhore për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Hajdari i kishte kërkuar Supremes që ta vlerësojë vendimmarrjen e PZAP-së që e vendosi si të pabazuar ankesën e tij, me të cilën pretendonte se votat për të nuk iu përputhën në disa vendvotime.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa kandidatit për deputet P. H., nga Subjekti Politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, A.nr.636/2025, të datës 18.03.2025”, thuhet në vendimin e Supremes.

Përveç kësaj, Supremja ka në shqyrtim edhe dy ankesa të tjera, për të cilat edne nuk ka vendim. 

Nga Supremja, Vetëvendosje ka kërkuar që të anulohen votat e Lidhjes Demokratike që kanë ardhur përmes postës. Sipas LVV-së, faktet që ia kanë prezantuar Gjykatës janë dëshmi e mjaftueshme se në zgjedhjet e 9 shkurtit pati vjedhje industriale të votave. Në Vetëvendosje kanë thënë se ankesa është bërë me bindje, dëshmi dhe fakte të pakontestueshme se pati skemë kriminale të manipulimit të votave përmes postës.

Ndërkaq koalicioni i Partisë Demokratike të Ashkalinjve dhe Lëvizjes për Bashkëveprim po kërkon që Supremja ta vërtetojë ankesën e tyre dhe të anulojë 211 votat e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim të ardhura përmes postës ose të bëj rinumërimin e tyre. Po ashtu koalicioni PDAK-LPB kërkon që të anulohen 108 votat në komunat ku nuk ka fare banorë të komunitetit ashkali dhe të bëhet rinumërimi në tri shkolla në Fushë-Kosovës. PDAK-LPB ka kërkuar që KQZ të përsëris edhe votimin me postë.

Nëse Gjykata Supreme e njeh vendimmarrjen e PZAP-së rezultatet përfundimtare do të certifikohen si të tilla.

Përfaqësimi i kandidatëve në Kuvend mund të ndërrojë vetëm në rastin e tërheqjes së tre deputetëve që janë edhe kryetar komunash. 

Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, nëse vendos të vazhdojë detyrën e kryetarit të komunës së Mitrovicës, atëherë i hap rrugë Rashit Qalajt që të sigurojë mandatin e deputetit, si më i votuari nga lista e kandidatëve të këtij subjekti që kanë mbetur jashtë Kuvendit. Në LDK, heqja dorë nga mandati i deputetit nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, bënë të mundur që vendet e tyre të plotësohen nga Arben Gashi dhe Paris Guri.