Gjykata Supreme e Kosovës e ka anuluar vendimin e Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) duke mos e çuar në rivotim Hanin e Elezit.
PZAP kishte vendosur që në këtë komunë procesi të shkonte në rivotim, duke aprovuar ankesën e kryetarit Refki Suma.
Ndërkohë kandidati i PDK-së për kryetar Mehmet Ballazhi, që pas rezultateve preeliminare kishte fituar zgjedhjet në këtë komunë pa balotazh, është ankuar në Supreme. Nga Supremja çështja i është kthyer PZAP-it në rivendosje.
“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka anuluar vendimin e PZAP-së, duke e kthyer çështjen në rivendosje”, thuhet nga Supremja. “Nga arsyet e dhëna deri tani mund të arrijmë në përfundim se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë, dhe si rezultat kemi edhe zbatim të gabuar të dispozitave të neneve 117 dhe 120 të LZP-së. Të metat e mësipërme janë të atij karakteri që e bëjnë të pamundur që Gjykata Supreme të vendosë ndryshe, për faktin se me nenin 120 të LPZ-së, është në kompetencë të PZAP-it, për të vendosur lidhur me sanksionet ndaj shkeljeve, prandaj edhe çështja është rikthyer në rivendosje. Në procedurën e rivendosjes obligohet PZAP, që të veprojë në përputhje me vërejtjet që u theksuan më sipër dhe pastaj të marrë një vendim të drejtë e të mbështetur në ligj, ashtu që vendimi të përmbajë arsyetim bindës për mënyrën e vendosjes”, thuhet nga Supremja.
Kolegji i Supremes po ashtu ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Bekim Jasharit, kundër vendimeve të PZAP-së.
“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lista e Pavarur Bekim Jashari, me seli në Skenderaj, e paraqitur kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Anr.673/2021, Anr.674/2021, Anr.675/2021, Anr.676/2021, Anr.678/2021, Anr.679/2021 të gjithë të datës 20.10,2021, Anr.671/2021, Anr.672/2021, dhe 680/2021".
Supremja gjithashtu e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e komisionerës të Vetëvendosjes, XH.S., e cila u dënua nga PZAP-ja me 1 mijë euro gjobë dhe të njëjtës iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje, si kandidate, apo si pjesë administrative e ndonjë organi zgjedhor për pesë vite.
"Ankesa e subjektit të njëjtë, kundër vendimit të PZAP-së, A.nr.637/2021 hidhet si e palejuar. Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Xh.S., anëtare e Komisionit zgjedhor në Vendvotimin QV2614/01D nga subjekti politik “Lëvizja Vetëvendosje”, e paraqitur kundër pikës III të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), A.nr.630/2021, të datës 20.10.2021”, thuhet nga Supremja.