Arbëri

“Sunny Hill” planifikon t’i investojë 7 milionë € në tokën që ia dha Komuna e Prishtinës për 99 vjet

“Sunny Hill” parasheh t’i investojë rreth shtatë milionë euro brenda shtatë vjetësh në hapësirën prej 17 hektarësh që Komuna e Prishtinës ia ka ndarë festivalit. me koncesion për 99 vjet, ka thënë Alban Kastrati, menaxher i “Sunny Hill”, të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas tij, toka që është ndarë për festivalin është krejtësisht e papërpunuar dhe se ideja është që në atë pjesë të investohet jo vetëm për nevojat e festivalit, por edhe të qytetarëve.

“Ideja e festivalit është që të masivizohet dhe të krijohet si ngjarja më e madhe historike që ndodh në Kosovë brenda një viti. Vizioni jonë është që kjo të ndodhë një herë në vit por të jetë më e madhja edhe në rajon edhe në Evropën Juglindore. Fusha që është votuar për t’u dhënë në shfrytëzim është krejtësisht e papërpunuar. Qëllimi i festivalit është që t’i investojë për 7 vite diku rreth 7 milionë euro. Ideja është që ta krijojmë një park publik me investimet vetanake të festivalit. Po detyrohemi që për shkak të nevojave të festivalit, ta krijojmë një hapësirë të tillë me investimet tona. Po kërkojmë një hapësirë publike të pashfrytëzuar që gjatë ditëve të festivalit të shfrytëzohet për festival, ndërkaq për pjesën tjetër parashihet të shfrytëzohet nga qytetarët”, ka thënë Kastrati.

Ai ka shtuar se komuna e Prishtinës nuk ka obligime financiare për tokën, ndërkohë që ajo mund të jetë e mbyllur maksimalisht për 70 ditë brenda vitit, për shkak të nevojave të festivalit.

Shpat Begolli, shef i operacioneve në festival, ka folur më detajisht rreth investimeve që do të bëhen në tokë.

“Do të rregullohet i gjithë peisazhi, do të bëhet gjelbërimi, rreth hapësirës së festivalit do të ndërtohet rrethoja dhe një rrugë 2,2 km. Do të krijojmë forma të energjisë së ripërtërishtme që festivali të jetë eko. Do të krijohen tri skena të ndryshme të hapura. Po ashtu një amfiteatër. E gjithë hapësira pritet të pyllëzohet. Për fazën e parë i kemi 1.000 drurë që do t’i mbjellim. Do të jetë një park që qe një kohë të gjatë nuk është hapur në Prishtinë”, ka thënë Begolli.

Ndërkohë, Kastrati ka thënë se festivali “Sunny Hill” krijon një gamë të vlerave, duke i bërë publicitet Kosovës në mediat më prestigjioze në botë dhe duke krijuar përfitime për ekonominë e kryeqytetit.

Me 26 për, 19 kundër dhe 3 abstenime, në seancën e së martës në Kuvendin Komunal, është votuar pro dhënies së pronës së paluajtshme të komunës për këtë festival, për 99 vjet.

Opozita ishte kundër dhënies prej 17 hektarësh në pronësi të një kompanie për kaq shumë vjet.

Këtë vit edicioni i tretë “Sunny Hill” do të mbahet në katër ditët e muajit gusht, në datat 4,5,6 dhe 7. Vitin e kaluar, “Sunny Hill Festival” u anulua për shkak të pandemisë. Sivjet është edicioni i tretë dhe ndryshe nga edicionet e kaluara që është mbajtur në parkun “Gërmia”, sivjet do të mbahet në Bërnicë të Poshtme.