Është sulmuar drejtori i burgjeve të Kosovës Sokol Zogaj.
KTV merr vesh se ai është rrahur brutalisht nga dy persona para banesës së tij në orët e mëngjesit.
Zogaj është dërguar menjëherë në emergjencë dhe thuhet se gjendja e tij është serioze. Policia ende nuk e ka konfirmuar rastin. Ndërkohë ekipi i KTV-së gjendet atje dhe do në edicionet e radhës te lajmeve dhe portalin Koha net do të informoheni për detajet.
Për sulmin ka njoftuar edhe Ministria e Drejtësisë përmes një kumtese:
Sot, rreth orës 07:00 të mëngjesit duke dalë nga banesa e tij në Prishtinë, nga persona deri më tash të panjohur është sulmuar brutalisht Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj.
Ministria e Drejtësisë dënon ashpër sulmin brutal ndaj Zogaj, dhe i fton organet kompetente ta trajtojnë rastin, në mënyrë që kryerësit e këtij akti brutal të dalin para organeve të drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë do të bashkëpunojë me organet kompetente deri në zbardhjen e plotë të sulmit brutal ndaj Zogaj.
