Sulmi në Ibër-Lepenc ka qenë në fokus edhe të mediave të mëdha botërore. Agjencitë “Reuters”, “Associated Press” e “Al Jazeera” i pasqyruan në shkrimet e tyre veprimet e ndërmarra nga autoritetet e Kosovës dhe reagimet pasuese nga faktori ndërkombëtar
Sulmi i së premtes në kanalin e ujit të Ibër–Lepencit të Zubin-Potokut ka marrë të shtunën edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Duke raportuar mbi ngjarjen qysh pak orë pasi që ai ndodhi, agjencia prestigjioze “Reuters” në fokus të raportimit ka vënë rritjen e masave të sigurisë në Kosovë, pas shpërthimit.
Tek ka transmetuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, kjo agjenci e theksoi shtimin e tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se policia ka gjetur dëshmi dhe se të gjithë të përfshirët në sulm do të përballen me drejtësinë. Nuk dihet nëse të arrestuarit janë drejtpërsëdrejti të përfshirë në shpërthim. Shpërthimi ka rritur tensionet mes dy vendeve ballkanike”, ka raportuar “Reuters”.
Gazetari i “Reutersit” ka qëndruar në vendin e shpërthimit të premten, tek ka raportuar se punëtorët kanë instaluar një sërë tubash të mëdhenj për ta ndaluar rrjedhjen e ujit.
Agjencia e lajmeve “Associated Press”, shkrimin për sulmin e ka mbështetur te deklaratat që kryeministri Albin Kurti i ka dhënë gjatë konferencës së të premtes vonë, me ç’rast e quajti sulmin akt terrorist.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar Serbinë për shpërthimin në kanalin e grumbullimit të ujërave për qytetarët dhe për stacionin energjetik, duke e quajtur atë sulm terrorist”, ka raportuar AP.
Sulmi është përçuar edhe nga agjencia e lajmeve, me bazë në Doha të Katarit, “Al – Jazeera”. Kjo medie ka raportuar edhe mbi reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë, që sulmin e ka cilësuar akt kriminal.
Pasi përcolli informatat mbi ngjarjen dhe reagimet nga faktori ndërkombëtar dhe zyrtarët në Serbi, agjencia dha një përshkrim për situatën dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Tensionet janë rritur në muajt e fundit, teksa Qeveria e kryeministrit Kurti po synon që ta shpërbëjë sistemin paralel të shërbimeve sociale dhe zyrat politike që mbështeten nga Beogradi zyrtar për t’u shërbyer serbëve të Kosovës”, ka raportuar “Al-Jazeera”.
Që të tri mediat kanë përmendur historikun e tensioneve mes dy vendeve, teksa kanë shkruar se në Kosovë, me gjithë shpalljen e pavarësisë më 2008, problemet kanë vazhduar, kryesisht në veri, ku pakica serbe refuzon ta njohë shtetësinë e saj dhe e sheh Beogradin ende si kryeqytet të vetin.