Arbëri

Sulmi në kohën kur institucionet e BE-së bëjnë pranim-dorëzimin e detyrës

Varage

Në fundin e nëntorit tri shpërthime brenda 72 orëve ngritën alarmin në veri. Më i madhi ishte ai i mbrëmjes së 29 nëntorit, ku një shpërthim masiv dëmtoi rëndë kanalin strategjik të Ibër-Lepencit në Zubin-Potok. Ky kanal, i cili siguron ujë të pijshëm për disa qytete, ujë për ujitje dhe ftohjen e kazanëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) e në Ferronikël, u sulmua me rreth 20 kilogramë eksplozivë. Autoritetet e Kosovës e konsideruan këtë akt si sulmin më të rëndë ndaj infrastrukturës kritike që nga paslufta

Foto: Driton Paçarada

Dëmtimi i kanalit Ibër-Lepenc në një sulm që e kanë dënuar nga shumë adresa, ka ndodhur pikërisht në ditën kur në Bashkimin Evropian ndodh pranim-dorëzimi mes strukturave të vjetra dhe atyre të reja. E shtuna është dita e fundit formale e mandatit të Komisionit të vjetër Evropian ndërsa e diela me 1 dhjetor do të jetë dita e parë e mandatit të Komisionit të ri Evropian. 

Kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja se pse nga BE-ja as deri në mesditën e së shtunës nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar për këtë sulm, përveç një postimi në rrjete sociale të Ambasadorit të BE-së në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin është pajtuar edhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, të cilit mandati i zgjatë edhe dy muaj.

Apo BE-ja për reagim duhet më parë të konsultohet me përfaqësuesit e sajë në terren, me vendet anëtare dhe me misionet tjera ndërkombëtare, në mënyrë që të mos bëjnë deklarime të nxituara. Edhe nga NATO-ja kanë sugjeruar që për reagime t’i drejtohemi misionit të KFOR-it në Kosovë.

Nga BE-ja kanë reaguar deri më tani vetëm nga Parlamenti Evropian ku dy deputetët kryesorë që merren me Kosovën bashkërisht kanë dënuar këtë akt dhe kanë shprehur mbështetje për institucionet e Kosovës që të nxjerrin para drejtësisë kryesit e këtij akti. 

Davor Ivo Stier i cili është kryesues i delegacionit të Parlamentit Evropian për raporte me Kosovën dhe Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për këtë rast.

“Në emër të delegacionit të Parlamentit Evropian për raporte me Kosovën, dhe në cilësinë  e Raportuesit të Parlamentit  Evropian për Kosovën, ne dënojmë sulmin e 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike në Zubin Potok në Kosovë. I shprehim solidaritet qytetarëve të Kosovës dhe mbështetjen tonë institucioneve të Kosovës në kryerjen e hetimeve të plota për të identifikuar dhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për këtë sulm kriminal”, thuhet në reagimin e përbashkët të Stier dhe Terras.

Bashkimi Evropian gjithmonë ka tërhequr vërejtjen për situatën në veri të Kosovë duke bërë thirrje që të ruhet qetësia dhe të mos bëhen hapa të njëanshëm. Por, fajtore për këtë në të shumtën e rasteve e ka konsideruar Kosovën ndërkohë që ka bërë gjithçka që Serbia të mos ketë pasoja. 

Kështu ka qenë edhe pas sulmeve në muajin maj ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve, për të cilat sulme janë identifikuar shumë prej kryesve por nuk ka pasur pasoja për ta. Po ashtu edhe për sulmin në Banjskë në shtator të vitit të kaluar, sulmin të cilin Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, e ka quajtur terrorist, Serbia nuk pa pasur asnjë pasojë. Për më tepër, Milan Radoiçiq e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin në fjalë, ai ndodhet i lirë në Serbi, e BE-ja vetëm ka përsëritur thirrjet që “kryesit të nxirren para drejtësisë”, por nuk ka dashur të merr asnjëherë masa ndaj Serbisë edhe pse ka konstatuar se Serbia nuk ka bërë hapat e duhura për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmit në Banjskë.

Për më tepër, BE-ja akoma mban masat ndëshkuese ndaj Kosovës ndërsa nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndaj Serbisë. Kjo ka bërë që disa shtete të BE-së të kërkojnë një qasje më të balancuar ndaj palëve dhe të mos sanksionojnë vetëm njërën palë.