Ka kaluar plot një vit pa takim midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel. Derisa në Qeveri nuk treguan nëse ka plane për një takim të radhës, njohës të çështjeve politike vlerësuan se rrjedhat e kohëve të fundit po e çojnë dialogun drejt qorrsokakut. E një prej pengesave kryesore e numëruan sulmin terrorist në Banjskë
Është bërë fiks një vit qëkur kryeministri Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ulur për herë të fundit përballë njëri-tjetrit në tryezën e bisedimeve në kuadër të dialogut të Brukselit.
Në Qeveri nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS nëse po planifikohet një takim i ri Kurti-Vuçiq, pas atij të 14 shtatorit të vitit të shkuar që ndodhi dhjetë ditë para sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Njohësi i çështjeve politike, Dorajet Imeri, thotë se sulmi në Banjskë është një prej arsyeve kryesore që rezultoi me ndërprerjen e takimeve të nivelit të lartë në dialog.
“Me këtë përpjekje që Serbia ka dashur të arrijë në Kosovë tregon se mundësia për të pasur nga ana tjetër negociata është minimale ose e pamundur, sepse është vështirë e pritshme që në një moment ku mosbesimi mes palëve është aq i madh, ku përpjekjet janë mohuese ndaj njëra-tjetrës, mundësia për të ofruar palët rreth tryezës së negociatave dhe të mospërmbylljes së tyre në mënyrë të suksesshme vazhdon të jetë e madhe”, ka thënë Imeri.
E analisti Arbnor Sadiku thotë se dialogu ndodhet në “qorrsokak” si për shkak se Serbia ka refuzuar takime, ashtu edhe shkaku i veprimeve të fundit të Qeverisë që i quajti të pakoordinuara me bashkësinë ndërkombëtare.
“Faktikisht Kosova do të duhej të ishte më kooperuese me bashkësinë ndërkombëtare. Edhe nëse do të ndodhte ndonjë takim, nuk mendoj që do të kishte ndonjë rezultat të prekshëm. Ma tepër do të ishte sa për fotografi dhe le të themi se, meqë Kosova është në një vit elektoral, deri në qeverinë e ardhshme, të re, nuk do të ketë zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, ka thënë Sadiku.
Përpjekja e fundit për takim dështoi në qershor, pasi kryeministri Kurti paraqiti tri kushte – nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, me zotimin për mosrespektim të pjesëve të marrëveshjes që ia konfirmojnë Kosovës shtetësinë dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit e grupit të tij, të dyshuar për sulmin në Banjskë.
E të martën e javës së ardhshme pritet takim në Bruksel, në mes të kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.