Thirrje për kujdes të shtuar kanë bërë ekspertët e sigurisë në vend, pas zhvillimeve në veri. Derisa kanë paralajmëruar për përshkallëzim të situatës së sigurisë, ata kanë thënë se duhet të rritet prania e policisë dhe e KFOR-it në veri. Në anën tjetër, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se sulmet e tilla synojnë të nxisin një konflikt të ri në Ballkan
Pesë sulme të ndryshme ndaj Policisë së Kosovës prej së mërkurës, për katër ditë me radhë, kanë bërë që ekspertë të sigurisë ta cilësojnë situatën si shqetësuese e të bëjnë thirrje për kujdes të shtuar. Sipas tyre, sulmet e fundit ndaj zyrtarëve policorë, janë sinjal i rrezikut të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në vend.
Eksperti për çështje ushtarake e të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë se situata nuk mund të neglizhohet, porse ajo duhet të merret “shumë seriozisht” pasi, sipas tij, ka “elemente mjaft të rrezikshme” që tregojnë se situata mund të përshkallëzojë. Sipas Qehajës, janë disa qëllime të cilat po synohet që të arrihen me sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
“Zbatimi i një lufte speciale ndaj Kosovës nëpërmjet kësaj forme të sulmeve e mandej futjen e frikës dhe panikut duke ndikuar kështu në procesin negociator që do të pasojë mes Kosovës dhe Serbisë, do të ishte si detyrë apo qëllimi i parë. E dyta, kishte me qenë të matet apo të vlerësohet një gatishmëri jona vetëmbrojtëse në çfarë niveli është ajo, përkatësisht si do të sillemi ne konkretisht, çfarë masash do të ndërmarrim për të mbrojtur atë pjesë të territorit tonë”, ka thënë ai teksa ka dhënë edhe një “synim” të tretë.
“Së treti do të thosha përgatitja e një sulmi të befasishëm, duke përdorur forca dhe armatim ushtarak të përgatitura enkas dhe si të themi të përkrahura nga aviacioni ushtarak, nga artileria dhe raketat e tyre. Kjo mund të jetë për shembull, unë ashtu e shoh si ekspert i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, një brigade prej 3-4 batalioneve të gatshme për të depërtuar deri në lumin Ibër me qëllim që pjesën veriore të vendit tonë ta shkëpusin e që është edhe qëllimi parësor i tyre në momentin aktual”, ka thënë Qehaja.
Eksperti i sigurisë i konsideron si të mundshme gjasat për përshkallëzim të situatës.
“Janë të mundshme sidomos në aspektin e destabilizimit të situatës së sigurisë në vend, sidomos në pjesën veriore. Këtu mendoj para së gjithash në barrikadimet që ata dinë t’i bëjnë dhe që i kanë bërë disa herë në këto vitet e fundit, të bëjnë vrasje apo plagosje të policëve edhe të organizojnë një situatë, ta quaj ashtu të padëgjueshmërisë së qytetarëve serbë atje”, ka thënë ai.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerali në pension, Kadri Kastrati, i ka cilësuar “shumë shqetësuese” sulmet e ditëve të fundit.
“Sepse katër sulmet që kanë ndodhur ndaj institucioneve të sigurisë, ndaj Policisë së Kosovës janë rezultat i një tensioni mjaft të theksuar në disa muaj të fundit që Rusia në luftën hibride, nëpërmjet satelitit të vet Serbisë, është duke u munduar që ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor që të mos e lërë të qetë”, ka thënë Kastrati.
Ai ka paralajmëruar që situata do të jetë edhe më serioze ditëve në vijim, për siç ka thënë ai sulmeve “edhe më serioze”.
“Mendoj që kjo do të përshkallëzojë edhe më tutje. Rekomandoj që institucionet e sigurisë të jenë më vigjilente, sepse unë pres që ndoshta të përshkallëzojë situata edhe më shumë, të ketë sulme edhe më serioze. Për këtë arsye unë kisha rekomanduar fuqishëm Policinë e Kosovës, por në veçanti KFOR-in, që të jetë më prezent në veri sepse unë nuk pres që ata të ndalen, Serbia dhe Rusia të ndalen, deri këtu ku kanë vepruar, por të përshkallëzojë edhe më tutje”.
Kastrati e Qehaja, si ekspertë të sigurisë, kanë rekomanduar për shtim të Policisë së Kosovës e pjesëtarëve të KFOR-it, në pjesën veriore. Sipas gjeneralit Kastrati, duhet të shtohet kontrolli sidomos në kufi me shtetin fqinj.
“Unë pres që KFOR-i të jetë më prezent, t’i rrisë forcat e veta në veri, t’i kontrollojë kufijtë më shumë, të jetë prezent atje fizikisht. Inteligjenca të punojë në mënyrë më aktive, t’i zbulojnë se kush janë këta që janë duke e bërë dhe mundësisht të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Dhe Policia e Kosovës me njësitë më të specializuara të jetë më aktive në kufijtë në dy pikat kufitare, por edhe patrullimet në kufijtë mes Serbisë dhe Kosovës të jenë shumë më aktive se që janë prezentë momentalisht”, ka thënë Kastrati.
Ramadan Qehaja ka thënë se në gjendje gatishmërie duhet të vihet edhe FSK-ja.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në mënyrë të përshpejtuar ta ngritë gatishmërinë vepruese, gatishmërinë ushtarake për mbrojtje duke iu përshtatur situatës së krijuar. Sa i përket Policisë së Kosovës të ngritë gjithashtu gatishmërinë vepruese në veçanti ato njësite që ne po i quajmë për veprime speciale. Por, në përgjithësi kujtoj se një ngritje e përgjithshme e gatishmërisë vepruese në polici në tërësi duhet të jetë më e përshpejtuar sesa tani që e kemi”, ka thënë Qehaja.
Ai ka ngritur dyshimet se lidhur me rrezikun nga sulmet nuk ka qenë i njoftuar KFOR-i ose edhe nëse ka qenë nuk ka paralajmëruar për një gjë të tillë. Sipas Qehajës, një pjesë të fajit për mosparandalimin e sulmeve e bart edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Eksperti Qehaja ka ftuar që institucionet e Kosovës t’i bëjnë kërkesë NATO-s dhe t’i kërkohet që t’i lejohet FSK-së patrullimi edhe në veri.
“T’ia bëjmë një kërkesë NATO-s për një syçeltësi më të madhe të KFOR-it për siç thonë edhe ata vetë, të sigurimit të një mjedisi më të sigurt e që në rastin konkret nuk e kanë bërë. Të kontaktohet apo të kërkohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të patrullojë dhe të sigurojë tërë territorin e Kosovës, si me thënë në bashkëveprim me KFOR-in. Ju e dini që është një kufizim lidhur me këtë dhe tashti është momenti shumë i volitshëm të kërkohet të hiqet ky kufizim i lëvizjes së saj në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Akri Çipa, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, duke e vlerësuar si “rast shqetësues” sulmet ndaj forcave të rendit në Kosovë, e ka konsideruar të rëndësishëm trajtimin me kujdes nga institucionet.
“Ende ka mungesë të informacionit të saktë për shkaktarët dhe për mënyrën se si është bërë. Por, duke qenë se është përsëritur në një sërë ditësh brenda një harku gjeografik të përcaktuar duket se ka një tentativë të koordinimit ndërmjet këtyre sulmeve. Është e rëndësishme që të ketë një lloj kujdesi nga institucionet e Kosovës, deri më tani kanë qenë të kujdesshëm në retorikën e përdorur sigurisht, por edhe në etiketime të ndryshme si policia edhe institucionet e tjera të Kosovës është shumë e rëndësishme që të ruhet një lloj gjakftohtësie”, ka thënë ai.
Çipa, në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se sulmet kanë për qëllim përshkallëzimin e situatës së sigurisë.
“Duke qenë se është edhe në kufi me Serbinë, (incidentet e tilla) kanë tentativën për t’u përshkallëzuar, mbi të gjitha në një moment ku ka një konflikt në Evropë, një konflikt madhor si ai ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe ka një lloj shqetësimi pa dyshim në rajon, por edhe nga partnerët perëndimorë për faktin se mund të ketë tentativa për ta zhvendosur vëmendjen e konfliktit në Ukrainë duke ngjallur një vatër tjetër konflikti në Ballkan”, ka thënë ai.
Të premten, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, njoftuan se zyrtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar me kallashnikovë dhe granatë dore. Sipas tyre, sulmi i së premtes ishte i katërti me radhë, pas tri sulmeve të tjera në dy ditët paraprake, me mjete të tjera si gurë , “iriqë” të vendosur në rrugë për t’i shpërthyer gomat e me armë zjarri. Autoritetet kosovare sulmin e së premtes e kanë konsideruar akt terrorist, derisa për të njëjtin janë fajësuar strukturat kriminale në veri e shteti fqinj Serbia. Policia e Kosovës është sulmuar edhe në orët e para të së shtunës. Ndaj veturës së policisë janë hedhur mjete shpërthyese, e të cilat dyshohet se janë mjete piroteknike.
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, nga Zyra e Bashkimit Evropian, nga misioni i KFOR-it, nga krerët e institucioneve e udhëheqës të subjekteve opozitare.