Arbëri

Subvencionimi i izolimit të shtëpive, Hetemi: Këtë herë presim aplikime edhe nga veriu

Driton Hetemi

Për të dytën herë është lansuar thirrja publike “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”. Qëllimi është që të përmirësohen kushtet e jetesës së qytetarëve sa i përket efiçiencës së energjisë si dhe ulja e faturave të energjisë elektrike.

Driton Hetemi nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka thënë se ka interesim shumë të madh të qytetarëve për të. Ai ka treguar sa familje pritet të aprovohen.

“Bazuar në të dhënat empirike ka rezultuar se mesatarja e qytetarëve që e kanë fituar është 3750 euro, 45% subvencion i investimit total. Me buxhet prej 5 milionë euro, presim që 1300 familje të aplikojnë dhe që mund t’i aprovojmë. Në fazën e parë kemi paraaprovuar 2150 raste”, ka thënë ai.

Hetemi ka treguar se 9,000 euro është shuma mesatare për izolimin e mureve të jashtme, ndërrimin e dyerve, dritareve, kulmet si dhe puna që bëhet.

“Ka raste ku ka kushtuar më shumë, rreth 9000 është mesatarja. Ka shumë raste ku kemi dhënë subvencionin maksimal 5500 euro”.

Nga përfituesit e projektit të shtëpive individuale, Hetemi ka thënë se në fazën e parë me numrin më të madh ka qenë Prishtina, e dyta Podujeva dhe më pas Peja. Prej të gjitha komunave që kanë përfituar, ka shtuar ai, vetëm komunat në veri nuk kanë pasur aplikime.

“Herën e parë ka pasur aplikantë nga të gjitha qytetet përveç veriut. Nuk kemi pasur aplikime ndoshta nga mosqasja me furnizuesit e energjisë elektrike dhe tash meqë kanë filluar të kyçen në rrjet dhe faturohen, edhe kualifikohen”.

Aplikimi për këtë masë parashihet që të zgjasë për dy javë, duke nisur nga 27 gushti.