Arbëri

Subjektet politike shqiptare humbin një drejtori në Kllokot

Përfaqësimi i subjekteve politike shqiptare në ekzekutivin e komunës së Kllokotit është reduktuar pasi nga dy drejtori komunale sa i kishin në dispozicion, tani kanë mbetur me vetëm një drejtori.

Drejtoresha për buxhet dhe financa, Deliza Rexhepi, e cila është pjesë e partisë Nisma Socialdemokrate ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtoreshës dhe në këtë pozitë tani është caktuar një ushtrues detyre nga radhët e komunitetit serb.

Ish-drejtoresha nuk ka dhënë sqarime për arsyet e dorëheqjes së saj. Ndërkaq drejtuesit e degës së Nismës kanë deklaruar se ata kanë shkëputur bashkëpunimin me kryetarin e komunës ngase vlerësojnë se është i përfshirë në parregullsi të shumta ku janë dëmtuar interesat e banorëve të kësaj komune, duke shtuar se dorëheqja është në këtë funksion.

Koha mëson se drejtoresha kishte dhënë dorëheqje muaj më parë mirëpo nuk kishte pasur njoftim për publikun.

Në vitin 2017 kryetari i komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, i cili takon subjektit politik Lista Serbe ishte pajtuar që Drejtoria për buxhet dhe financa të udhëhiqej nga Nisma Socialdemokrate kurse drejtoria e bujqësisë të udhëhiqej nga Partia Demokratike e Kosovës.

Nënkryetarja për komunitete në këtë komunë, Selvije Rexhepi, ka konfirmuar dorëheqjen e drejtoreshës por deklaron se nuk është në kompetencën e saj të deklarohet për arsyet e kësaj dorëheqjeje. Ajo deklaron se për shkak të pandemisë nuk kanë mundur të diskutojnë me kryetarin e komunës për këtë çështje dhe se shprehet skeptike se në Drejtorinë për buxhet dhe financa do të emërohet dikush tjetër nga komuniteti shqiptar pas kësaj dorëheqje.

“Ajo nuk është duke punuar ka kohë tash e 2 muaj. Nuk është plotësuar ende pozita dhe kryetari i komunës nuk ka kërkuar nga partia me të cilën ka qenë në koalicion një emër. Një ushtrues detyre e ka caktuar dhe ai është nga komuniteti serb. Të them të drejtën nuk e di tash shkaku i pandemisë nuk kemi pasur kontakte me kabinetin e kryetarit në lidhje me këtë çështje” ka thënë ajo.