*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!
Shkalla e papunësisë së të rinjve me arsim të lartë është e ngjashme me atë të të rinjve me arsim të mesëm. Kjo situatë, në masë të madhe, është për shkak të mospërputhjes së programeve të studimit me kërkesat e tregut të punës. Njohësit e arsimit thonë se institucionet e arsimit të lartë i kanë dëmtuar studentët duke mos ua ofruar atë çfarë kërkon tregu
Festina Selmani ka diplomuar në Fakultetin e Bujqësisë para 7 vjetësh. Por, prej atëherë, nuk arriti të gjejë punë në profesionin për të cilin studioi.
Tani punon në një restorant, që është në pronësi të bashkëshortit të saj.
“Nuk kam arrit të gjej diçka që përshtatet me profilin tim, por edhe njëkohësisht që paguhet mirë. Prandaj, është e vështirë me gjetë punë në profilin tim që kam studiuar agroekonomi, pasi s’ka shumë perspektivë”, ka thënë ajo.
Në Strategjinë e Punësimit, të publikuar nga Qeveria në korrik, konstatohet hendeku mes shkathtësive të të diplomuarve dhe kërkesave në tregun e punës. Për pasojë, sipas të dhënave zyrtare, edhe shkalla e papunësisë së të rinjve me arsim të lartë është e ngjashme me atë të të rinjve me arsim të mesëm.
Mirsad Krasniqi tregon se si djali i tij nuk gjeti një vend pune në profesionin për të cilin kreu studimet.
“Djali ka përfunduar psikologjinë, konkretisht para 5-6 vjet e ka përfunduar, por është i papunë tani... Punon ndonjëherë, por jo në profesionin e vet për çfarë është profesionalizuar apo shkolluar”, ka thënë ai.
Në hapësirën ECR që KOHA ua ka ofruar qytetarëve, 33.3 për qind e atyre që u përgjigjën në pyetësor treguan se pas regjistrimit në shkollë të mesme të lartë ose në fakultet, iu lindi dëshira ta ndërrojnë drejtimin. Mes arsyeve kryesore që përmenden, janë: Mungesa e përshtatjes së drejtimit të studimit me shkathtësitë e tyre, si dhe mungesa e perspektives në atë profesion.
E, bazuar në statistikat e arsimit, në vitin e shkuar më së shumti studentë regjistruan nivelin bachelor të studimeve në fushat e biznesit, administratës dhe drejtësisë. Ndërkaq, profesionet që u zgjodhën nga më pak studentë, janë bujqësia, pylltaria, peshkimi dhe veterinaria.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave për vitin 2023, punësimi më i madh është përqendruar në tregtinë me shumicë dhe pakicë, ndërtim, arsim dhe prodhim.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se institucionet e arsimit të lartë i kanë dëmtuar studentët duke mos u ofruar atë çfarë kërkon tregu.
“Jemi në një proces të përshtatur të vonuar të institucioneve të arsimit të lartë me kërkesat e tregut dhe me interesimin e studentëve. Kush do ta përballojë, kush do ta mbijetojë, do ta tregojnë vitet e ardhshme. Të rinjtë janë duke bërë zgjidhje pasi ata marrin edhe kurse jashtë dhe e përgatisin veten. Pra dëmi është bërë, por jemi çu prej gjumit vetëm atëherë kur e kanë kuptuar se po ju rrezikohet mbijetesa”, ka thënë Rexhaj.
E sipas drejtorit të institutit “Riinvest”, Visar Vokrri, ka mungesë të madhe të kuadrove të përgatitura për tregun e punës.
“Në bazë të dhënave që ne i grumbullojmë nga bizneset, sfida që lidhen me shkathtësi specifike, por edhe profesione specifike, mungesa ekziston pothuajse në çdo sektor. Pra, çdo sektor i ekonomisë ka probleme të përmbushjes së nevojës të bizneseve sa i përket shkathtësive të punëtorëve, përjashto teknologjinë informative të gjitha të tjerat përballen me probleme”, ka thënë Vokrri.
Në Qeveri thanë se nëpërmjet një skeme synohet që të rinjtë të rikthehen në tregun e punës përmes ngritjes së shkathtësive.
“Sa i përket koordinimit të nevojave të tregut të punës me fuqinë punëtore, si ministri kemi filluar me pilotimin e Skemës së Garancisë Rinore që qëllim ka targetimin e të rinjve nga mosha 15-29 të cilët janë jashtë tregut të punës, arsimit, apo trajnimit. Kjo skemë ka për qëllim të rikthejë në tregun e punës të rinjtë përmes ngritjes së shkathtësive, punësimit, praktikës apo trajnimit, brenda 4 muajve që ata regjistrohen në Agjencinë e Punësimit”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Qeverisë.
Në bazë të dhënave të Agjencisë së Statistikave, shkalla e papunësisë në Kosovë është 10.7 për qind. E sipas UNDP-së, varfëria dhe papunësia janë dy problemet kryesore të deklaruara nga qytetarët.