Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë të realizohet në fakultete duke respektuar masat. Studentët e kanë mirëpritur këtë masë të re derisa drejtues të Fakulteteve thonë se një vendim i tillë në këtë kohë të pandemisë do t’u shkaktojë probleme
Prishtinë, 11 shkurt - Studentët e të gjitha niveleve të arsimit të lartë nga java e ardhshme pritet ta nisin semestrin e dytë në fakultete. Pas gati një viti mësim online, ata do të vazhdojnë ligjëratat në formë fizike.
Kjo është paraparë në kuadër të masave të reja të Qeverisë. Sipas komunikatës, procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik e privat, si dhe provimet, punët praktike e laboratorike do të organizohen sipas planprogramit të institucioneve përkatëse në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.
Zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku, ka sqaruar se me vendimin e ri nuk do të ketë më ligjërata online.
“Me masat e reja kthehen të gjithë në fakultete, gjithçka në prani fizike dhe nuk ka më mësim online”, ka thënë ajo.
Këtij vendimi më së shumti i janë gëzuar studentët sipas të cilëve mësimi online ishte i vështirë për ta dhe nuk dha rezultate të mira.
“Mendoj që është marrë vendim shumë i mirë përderisa online kemi pasur shumë probleme, kemi pasur edhe shkyçje të rrjetit dhe ka qenë problem të mësohet”, ka thënë Arbër Fetahu, student në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.
Njëjtë si ai është shprehur edhe studentja e Fakultetit Filozofik, Donjeta Istrefi.
Por drejtues të fakulteteve kanë frikë se ky vendim në këtë kohë të pandemisë mund t’u shkaktojë probleme. Dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj, ka thënë se për shkak të numrit të madh të studentëve dhe pamundësisë që të gjithë të shkojnë në fakultete, do ta shqyrtojnë mundësinë të mbajnë mësim të kombinuar online dhe fizik.
“Neve do të na shkaktojë probleme, sepse kalimi prej një formë në një tjetër sigurisht që kërkon edhe prej studentëve një angazhim tjetër. Mos ta harrojmë pra për të tjerët që Fakulteti Ekonomik ka studentë edhe prej viseve tjera të Kosovës, të cilët për momentin janë në shtëpi të veta, nuk janë në konvikt dhe nuk kanë zënë banesa, pra ju shkaktojmë shpenzime dhe stres atyre studentëve”, ka thënë ai.
Me vendim të Qeverisë deri tash ligjëratat janë mbajtur online, kurse ana praktike dhe provimet në fakultete.
Javë më parë studentët patën nisur një peticion për kthimin në fakultete me arsyetimin se ligjëratat online nuk po kanë efekt. E në Universitetin e Prishtinës janë zotuar se janë të gatshëm ta respektojnë cilido që të jetë vendimi i Qeverisë.
Gjatë ditës ka reaguar Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës duke e quajtur vendimin e Qeverisë për lehtësim masash si skandaloz.
“Apelojmë që IKSHPK-ja dhe të gjithë ekspertët e shëndetësisë të distancohen nga veprimet politike vetëvrasëse dhe të mos jenë pjesë e vendimeve skandaloze për popullin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj sindikate.
Nga ana tjetër, anëtari i Bordit këshillëdhënës anti-Covid, Lul Raka, ka thënë se askush nuk i ka konsultuar për këto masa. Një veprim i tillë në kohë fushate, sipas tij, është vendim i gabuar.
“As unë, si kryesues i Bordit dhe asnjë anëtar i tij nuk është konsultuar për një propozim të tillë. Në kohën e shkeljes masive të masave parandaluese gjatë fushatës zgjedhore e parazgjedhore nga tërë spektri politik; shtirjes së variantit britanik të virusit, i cili është prezent në Kosovë që nga fundi i dhjetorit , çdo ’lehtësim politik i masave’ mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet duke kërcënuar shëndetin publik e individual në Kosovë”, thuhet në letrën e tij. Raka ka shtuar se është kundër lirimit të masave.