Arbëri

Studentët e Mjekësisë mbesin pa bursa, shkaku i kuotës së 60 kredive

161 studentë të Fakultetit të Mjekësisë nuk kanë përfituar bursa nga Ministria e Arsimit për vitin akademik 2020/2021. Kjo, për shkak se gjatë studimeve disa lëndë i kanë dy e trisemestrale dhe nuk arrijnë ta përmbushin kuotën prej 60 kredive brenda një viti. Mospërfshirjen në listën e përfituesve të bursave studentët po e konsiderojnë të padrejtë, derisa kanë paralajmëruar edhe protesta. Në MASH janë zotuar se po përpiqen të gjejnë një zgjidhje

Prishtinë, 13 dhjetor - 161 studentë të Fakultetit të Mjekësisë, kryesisht të Drejtimit Mjekësi e Përgjithshme, kanë bërë ankesë në Ministrinë e Arsimit, për shkak se Ministria nuk i ka përfshirë në listën e përfituesve të bursës për vitin akademik 2020-2021.

Arsyeja pse këta studentë nuk kanë përfituar bursë, është se në Fakultetin e Mjekësisë disa lëndë janë dy dhe trisemestrale, e si pasojë studentët nuk mund ta përmbushin kuotën prej 60 kredive brenda një viti, siç ka kërkuar MASH-i.

Studentë të këtij fakulteti e përfaqësues të Parlamentit Studentor e konsiderojnë të padrejtë mbetjen pa bursa të këtyre kandidatëve, ndonëse e kanë plotësuar kriterin e notës mesatare. Studenti i vitit të katërt, në Drejtimin Mjekësi e Përgjithshme, Burim Lumi thotë se Ministria duhet të gjejë një zgjidhje dhe të mos i privojë nga e drejtë e bursës studentët e Mjekësisë.

“Në Fakultetin e Mjekësisë ka lëndë që ndiqen në dy vjet akademike, kështu që është e pamundur që një student t’i ketë të gjitha 60 kredi (ECTS), mirëpo kjo nuk do të thotë që studenti nuk i përfundon të gjitha provimet. Lista ka dalë javën e kaluar, ne kemi bërë një kërkesë të përbashkët me 160 nënshkrime nga studentët e dëmtuar, ku i kemi kërkuar ministrit që ta rishqyrtojë këtë çështje. Po ashtu, do të ndërmarrim masa të tjera”, ka deklaruar ai.

Nënkryetari i Parlamentit Studentor të UP-së, Fatlind Azizi, ka bërë të ditur se kanë kërkuar takim me ministrin Ramë Likaj, por nuk kanë marrë përgjigje. Ai ka thënë se do të këmbëngulin që të gjithë studentët të trajtohen barabartë.

“Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë dërguar ankesat e tyre dhe normalisht që ata do të shikojnë format e tjera edhe të protestës për të përfituar atë që ju takon”, ka thënë ai.

Sipas këshilltares së Ministrisë së Arsimit, Diellza Kukaj, problemi nuk është te Ministria, por te Fakulteti i Mjekësisë. Kukaj ka thënë se për të fituar bursë një kandidat duhet t’i ketë 60 kredi, ndërsa studentët e Fakultetit të Mjekësisë i kanë vetëm 54, e që, sipas saj, është në kundërshtim me Ligjin për arsimin e lartë dhe me vendimin e Agjencisë së Akreditimit.

“Kjo mungesë e kredive u përcillet studentëve deri në vitin e fundit të studimeve, ku akumulohen 360 kredi. Ministri Likaj është duke e shqyrtuar mundësinë e nxjerrjes së një vendimi enkas për Universitetin e Prishtinës-Drejtimi Mjekësi e Përgjithshme, për gjetjen e një zgjidhjeje për këta studentë që u është bërë pengesë përfitimi i bursës padrejtësisht, si pasojë e mospërfilljes së vendimit të Akreditimit, dhe Ligjit të AL-së nga fakulteti përkatës”, ka thënë ajo.

Për të biseduar rreth këtij problemi KOHA ka provuar, por nuk ia ka dalë të vërë kontakt me zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë.

Javën e kaluar Ministria e Arsimit ka publikuar emrat e 1548 studentëve përfitues të bursës, shuma e së cilës është 700 euro. Konkursi ishte hapur më 21 tetor të këtij viti.