Drejtoresha e strehimores në Gjakovë “Shtëpia e Sigurt”, Erblina Dinarama, ka treguar se ka rritje të dhunës në familje për mbi 30 për qind.
Në “Express intervistën” në KTV, Dinarama, ka thënë aktualisht në strehimore po qëndrojnë 19 persona, nëntë fëmijë dhe dhjetë gra.
Që nga shpërthimi i pandemisë, sipas saj janë paraqitur katër raste të reja.
Kapaciteti i strehimores është gati i mbushur, pasi janë veç 20 shtretër, por jo thotë se do t’u bëhet zgjidhje të gjitha grave.
Problem më i madh sipas saj është ngurrimi i grave të raportojnë dhunë në familje.
“Ka rritje të dhunës në familje. Problemi kryesor është mosraportimi i dhunës dhe janë shumë faktorë që çojnë në këtë, si varfëria, kontrollimi i telefonit, izolim në shtëpi e shumë të tjera”, ka thënë ajo.
Gratë dhe fëmijët po qëndrojnë të izoluar në strehimore që nga mesi i marsit dhe kjo paraqet problem shtesë për stafin. Sipas drejtoreshës, strehimorja në Gjakovë funksionon me sistem të hapur.
“të gjitha gratë kanë punuar para pandemisë dhe fëmijët po ashtu kanë shkuar në shkollë, por tash janë të izoluar dhe normale se paraqet problem shtesë. Po ashtu në këtë kohë kemi ndërprerë integrimin dhe po ofrojmë vetëm shërbime direkte”, ka thënë ajo.
Dinarama ka treguar se po punohet në krijimin e një hapësire të re, në mënyrë që asnjë viktime e dhunës në familje të mos mbetët pa mbështetje. Për rastet e reja, strehimorja ofron karantinim prej 14 ditësh, si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.
Ajo ka folur edhe për furnizimet, mbështetjen e institucioneve dhe donatoreve.
“Ne mbështetemi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka fond të mjaftueshëm për shërbimet direkte. Falënderim i veçantë shkon për agjencitë e Kombeve të Bashkuara që gjatë këtyre ditëve kanë sjell ndihma ushqimore e higjienike. Po ashtu ndihmojnë edhe qytetarët dhe nuk kemi problem funksionimin”, tha ajo.
Dinarama shtoi se strehimorja është e hapur 24 orë . Ajo fton të gjitha gratë që të raportojnë dhunë kudo, në Polici, Qendër Sociale apo strehimore. Ajo siguroi se privatësia është gjëja kryesore në punën e stafit.
“Privatësia është gjëja kryesore në aktivitetet tona, kështu që sa i përket asaj, çdo viktimë që ka ardhur asnjëherë nuk ka pasur probleme. Po ashtu, po mundohemi që të ngrisim kapacitetet e stafit. Bashkë me donatorët e huaj po implementojmë projekte që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve dhe shërbimeve në strehimore”, u shpreh Dinarama në “Express intervistën” në KTV.