Komisioni Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes është duke shqyrtuar të mërkurën Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027. Shqyrtimi i saj është duke u bërë pa praninë e mediave.
Në këtë mbledhje janë duke marr pjesë edhe përfaqësues të Këshillit të Sigurisë si dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Nënkryetari i Komisionit, deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, në fillim të mbledhjes ka kërkuar mirëkuptimin dhe largimin e mediave nga salla.
“Konsiderojmë që kjo pjesë duhet të jetë e mbyllur sepse ne kemi për ta diskutuar dokumentin në hollësi. Ishte edhe kërkesa e sekretarit të Këshillit të Sigurisë, që kjo pjesë të jetë e mbyllur për media për shkak se neve po na intereson të marrim sa më shumë informacione, edhe pse është dokument publik, ka qenë edhe kërkesë e disa deputetëve që kjo pjesë të jetë e mbyllur për media”, është shprehur Dugolli.