Arbëri

Stoltenbergu përmend mundësinë e përforcimit afatgjatë të KFOR-it në Kosovë

Jens Stoltenberg

Pas shtimit të forcave në kuadër të KFOR-it, vendet anëtare të NATO-s më 27 dhe 28 nëntor pritet të diskutojnë për mundësinë e përforcimit afatgjatë të misionit paqeruajtës në Kosovë. Para takimit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg u ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga dhuna dhe të shfaqin përkushtim në zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu i Brukselit. E ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka paralajmëruar Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri nënkupton përballje me NATO-n

Mundësia e rritjes së përhershme të misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë do të trajtohet në takimin e radhës të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të NATO-s. Situata në veri të vendit, e cila muajt e kaluar ishte burim tensionesh do të trajtohet më 28 dhe 29 nëntor nga shefat e diplomacive të shteteve anëtare të aleancës veri-atlantike.

Lidhur me mundësinë e rritjes së prezencës së KFOR-it, të hënën ka folur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Kemi parë dhunë serioze në Kosovën veriore, ndarje e gjuhë përçarëse në Bosnjë-Hercegovinë, dhe përpjekje për ndërhyrje nga jashtë nga ana e Rusisë. Bashkë me përfaqësuesin e lartë të BE-së për siguri do të diskutojnë për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Kjo është me rëndësi për NATO-n”, ka thënë Stoltenbergu.

Ai ka shtuar se pavarësisht zhvillimeve në rajonet e tjera të botës, NATO-ja nuk e ka humbur fokusin nga Ballkani Perëndimor.

“Kemi histori atje, kemi prezencë dhe së fundi kemi rritur prezencën duke shtuar mijëra trupa të reja. Tani po vlerësojmë nëse duhet të ketë një rritje më të qëndrueshme dhe nëse ka nevojë për ndonjë aftësi të re të veçantë. Por tashmë i kemi ndërmarrë hapat e domosdoshëm duke rritur prezencën tonë”, ka theksuar Stoltenberg.

Propozimi për asociacionin, hap i rëndësishëm përpara

Stoltenbergu u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të tregojnë përkushtim në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, duke shtuar se besojnë në propozimin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Prishtina dhe Beogradi duhet të riangazhohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Stabiliteti varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë para konflikteve dhe kaosit. Ne gjithashtu besojmë se propozimi i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara për ta çuar këtë dialog në drejtim më konstruktiv. Mesazhi im në Prishtinë dhe Beograd ishte se të dyja palët duhet të përmbahen nga retorika dhe veprimet nxitëse të cilat rrisin tensionet në rajon”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i aleancës veri-atlantike.

Takimi në Bruksel mbahet pas vizitës që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, e pati në Ballkanit Perëndimor. Ai është zotuar se aleanca veri-atlantike do të bëjë çfarë është e mundur për ta ruajtur stabilitetin në rajon. Sipas tij, shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës, tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.

Në fokus të takimit mes ministrave do të jetë edhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës si dhe lufta midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

O’Brien: Shkaktimi i trazirave në veri nënkupton përballje me NATO-n

E ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka paralajmëruar të hënën Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.

“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, ka thënë O’Brien. Ai ka shtuar se, veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Sipas O’Brien, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, do të bisedojë për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor gjatë takimit dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të NATO-s.

Blinkeni, po ashtu, do t’i përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cili do të mbahet në Shkup, Maqedoni të Veriut.

Situata në veriun e populluar me shumicë serbe, ka qenë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.

Ndërkaq më 24 shtator, situata përshkallëzoi, pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë tre sulmues serbë.