Kuvendi ka mbajtur seancë plenare në kushte të jashtëzakonshme. Në sallën alternative, deputetët e opozitës kanë kërkuar tërheqjen nga votimi dhe kthimin në komisione për shqyrtim të disa prej projektligjeve që kanë qenë në rend dite. E pasi që kërkesat e deputetëve të opozitës nuk janë marrë parasysh, ata lëshuan sallën tek e akuzuan partinë në pushtet për kapje të Prokurorisë, të medias dhe administratës
Në sallën në të cilën tetë vjet më parë u pati hedhur gaz lotsjellës, deputetë të Kuvendit e anëtarë të kabinetit qeveritar janë kthyen sërish të enjten për të mbajtur seancë plenare.
Hapësira e kësaj salle alternative është improvizuar për t’i ngjasuar sado pak asaj të zakonshmes të Kuvendit, e cila është në rinovim e sipër. Në të janë vendosur karrige për akëcilin deputet, porse jo edhe tavolina e pajisje diskutimi.
Në seancën e mbajtur të enjten, në këtë sallë të pranishëm për rreth gjysmë ore kanë qenë edhe deputetët e Listës Serbe (LS), të cilët gjatë viteve të fundit i kanë ndjekur seancat plenare vetëm në prag të përfundimit të afatit ligjor për humbjen e mandateve.
Me të mbërritur në sallë, ata janë përballur me kërkesën e nënkryetarit të Kuvendit, Enver Hoxhaj, lidhur me tërheqjen e Projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, për të cilën kanë refuzuan që të japin qëndrim.
“Nga Lista Serbe dëshironi ta merrni fjalën. Besoj që është një temë që ju intereson dhe do të ishte mirë që të merrni qëndrim për një temë të tillë që pas gjashtë muajsh jeni në seancë...... E mendova seriozisht, e doni fjalën Lista Serbe?”, ka thënë Hoxhaj, por nuk ka marrë përgjigje.
E Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike (LDK), e ka ndërlidhur mbajtjen e seancës në sallë alternative me paraqitjen e deputetëve të Listës Serbe.
“Në historinë e parlamentarizmit tonë do të mbahet mend që dy herë kjo sallë është shfrytëzuar për të mbajtur seancë plenare. Rasti i parë është gazi lotsjellës dhe rasti i dytë është për t’iu vazhduar Listës Serbe mandatet, sepse rrezikonin që të humbnin mandatet”, ka thënë Selmanaj.
Pas kësaj deklarate, deputetët e LS-së kanë braktisur seancën, e Selmanajt i ka reaguar Kuvendi nëpërmjet një komunikate.
“Asnjë deputeti, përfshirë deputetët nga radhët e Listës Serbe, nuk do t’u humbiste mandati në rast të mosmbajtjes së seancës së sotme. Deputetët nga radhët e Listës Serbe herën e fundit ishin evidentuar si pjesëmarrës në seancë më 8 shkurt 2024. Rrjedhimisht të njëjtëve, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit, nuk do t'iu mbaronin mandatet deri në fillim të muajit gusht”, thuhet në komunikatën e Kuvendit.
E përfaqësues të partive opozitarë kanë kërkuar tërheqjen nga votimi dhe kthimi në komisione për shqyrtim të disa prej projektligjeve që të enjten kanë qenë në rend dite.
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar që Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes të tërhiqet, me justifikimin se me këtë përmbajtje ajo e cenon sigurinë kombëtare.
Bekë Berisha, kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe deputet i AAK-së, ka akuzuar anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në këtë komision, Enver Dugolli, se “në mënyrë klandestine ka kontrabanduar” me Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
“Nëse hiqet termi ‘dhe sigurisë’, cenohet mandati dhe veprimtaria e AKI-së. Ky bën që të humbë kuptimi i AKI-së. Inspektimi i AKI-së duhet të kryhet nga inspektori i AKI-së. Ndoshta për të emëruar dikë që është i preferuari i pushtetit, për të marrë kontroll në këtë agjenci... dëshironi të eliminoni presidenten nga kompetencat, pasi keni probleme mes vete. Zotëri Dugolli në mënyrë klandestine ka kontrabanduar dhe ka propozuar propozim-amendamente të cilat nuk janë rezultat i grupit punues, por një rezultat i një rrethi të tij të brendshëm”, ka thënë Berisha.
Berishës i ka reaguar shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila i ka kualifikuar të paqëndrueshme pretendimet e deputetit të AAK-së.
“Grupi i VV-së ka dakordimin që ky projektligj të kthehet në komision në mënyrë që të ketë harmonizim me partnerët që janë pjesë e diskutimit për temën e sigurisë dhe inteligjencës. Por nuk ka nevojë që të tërhiqet nga Qeveria. Nuk ka pasur të bëjë me dispozitat që ai i përmendi e që janë tematikë tjetër. Pajtohemi që ky projektligj të kthehet në kKomision”, ka thënë ajo.
Kërkesë për tërheqje të Projektligjit nga rendi i ditës ka shprehur edhe deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Rashit Qalaj.
“Është mirë që ky projektligj të kthehet në komision edhe pse mendoj që është shumë më mirë që të tërhiqet nga sponsorizuesi dhe të startojmë prapë, për shkak të shumë çështjeve të cilat janë devijuar rrugës nga projektligji fillestar. Dhe nuk ka nevojë që të jesh shumë njohës i sigurisë dhe të shohësh tendencat të cilat janë reflektuar me amendamentet që janë bërë nga grupi punues. Qëndrojnë ato të cilat i tha zotëri Bekë Berisha, për shkak se vërehet shumë lehtë që është një konflikt, mos të them një luftë, në mes të dy institucioneve kryesore të vendit”, ka thënë ai.
Këtë kërkesë të opozitës e ka mbështetur edhe partia në pushtet, pasi që me 69 vota për Kuvendi ka vendosur që Projektligji të kthehet edhe një herë në komision.
E në LDK kanë kërkuar tërheqjen nga votimi edhe të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), atë për zyrtarët publikë dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Deputeti Selmanaj ka akuzuar pushtetin se qëllimshëm është duke tentuar që t’i kapë të tri institucionet.
“Ju rekomandojmë fuqishëm që ta rikonsultoni Komisionin e Venecias, nëse komentet e Komisionit të Venecias janë marrë parasysh nga komisioni apo jo. Sepse thotë, ne kemi dilemat tona që kjo nuk është bërë. Ju po votoni kundër standardeve të BE-së, unë jam duke folur për Zyrën e BE-së në Kosovë dhe jam duke folur për deklaratën publike të ambasadorit gjerman. Dikush këtu po gënjen, ose Adnan Rrustemi, ose Zyra e BE-së. Zyra e BE-së thotë nuk e keni reflektuar komisionin”, ka thënë Selmanaj.
Por pasi që këto kërkesa nuk kanë marrë përkrahjen e deputetëve të partisë në pushtet, deputetët e të tri partive opozitare e lëshuan sallën. Seanca ka vazhduar me pyetjet parlamentare dhe me deklarimet jashtë rendi të ditës.
E teksa seanca ka vazhduar, LDK-ja ka thirrur konferencë shtypi nëpërmjet së cilës ka paralajmëruar se në rast të miratimit të projektligjeve të kontestuara, ato do t’i dërgojnë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
“Kjo qasje për LDK-në është qasje kundër proceseve integruese në Bashkimin Evropian. Madje është kundër edhe vetë zotimeve tona kushtetuese, ku qysh në preambulë të Kushtetutës thuhet se shteti i Kosovës ka synim të përfshihet në procese eurointegruese në BE. Sjellja sot e shumicës parlamentare, duke votuar kundër rekomandimeve të Komisionit të Venecias, Zyrës së BE-së në Kosovë tregon se përpjekja për kapje është shprehurazi dhe qartazi”, ka thënë Selmanaj.
Në seancën e së enjtes kanë qenë të parapara 30 pika të rendi të ditës, por seanca është ndërprerë në mungesë të kuorumit.