Arbëri

Përmbushja e zotimeve ndaj Trumpit implikon arritjen e marrëveshjeve tjera

Kosova dhe Serbia do të duhet të ndërmarrin shumë veprime e të hyjnë në marrëveshje tjera për t’i përmbushur obligimet që dalin nga zotimet e dhënë para presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Sipas interpretimit të juristëve, vetëm kur të nisë zbatimi konkret i pikave të saj mund të ketë nevojë për ratifikim të marrëveshjeve shtesë, përfshirë investimet e përbashkëta në energji, rrugë e fusha të tjera.

Statusi juridik i marrëveshjes së nënshkruar në Washington përbën akt të njëanshëm ku Kosova e Serbia do të duhet të hyjnë në marrëveshje tjera, për t’i zbatuar obligimet që i janë zotuar presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Sipas interpretimit të juristëve, vetëm kur të nisë zbatimi konkret i pjesëve të saj mund të ketë nevojë për ratifikim të disa marrëveshjeve shtesë, siç janë ato që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e përbashkët të energjisë së lumit Ibër, investimet e përbashkëta në energji, rrugë modalitetet e përdorimit të përbashkët të Ujmanit.

“Në aspektin juridik ajo përbën një akt të njëanshëm, sipas të drejtës ndërkombëtare që prodhon zotime për palën kosovare dhe serbëve, kundrejt ShBA-ve dhe që më vonë me legjislacion implementues m duhet të vihet në saj, meqë dispozitat e saj nuk janë të vetë ekzistuese. Kur të vjen deri tek ajo, duhet të ratifikohet në kuvend, plani i fizibilitetit nëse ka ndonjë plan, çështjet e infrastrukturës, sigurisë që pritet në të ardhmen të implementohen”, ka thënë juristi Enver Hasani.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka shtuar se heqja e njohjes së ndërsjellë nga marrëveshja u bë për t’ia shpëtuar fytyrën Serbisë.

“Nuk diskutohet që marrëveshja e ka depolitizuar dialogun dhe marrëdhëniet shqiptaro serbe dhe i ka hequr nga tavolina ato diskutimet për shkëmbime territoriale dhe frika që ka qenë në Kosovë. Me këtë i ka dhënë dimension ekonomik, sepse mendohet se mund të kryhen edhe proceset tjera”.

Ndërkaq, Emisari Special i presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell, ka përsëritur të dielën se administrata amerikane do të vazhdojë ta ketë prioritet Kosovën dhe Serbinë. Komentin e ka bërë në një reagim ndaj ish-zëdhënësit të Clintonit- Joe Lockhart, për të cilin ka thënë se është i inatosur që Kosova dhe Serbia janë pajtuar për hapat që çojnë drejt normalizimit ekonomik.

Por presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk e konsideron marrëveshjen tripalëshe, meqë sipas tij, pala e tretë - duke iu referuar Kosovës - nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

Ka folur edhe për pikën rreth Ujmanit duke thënë se Serbia nuk prodhon rrymë nga uji në këtë liqen, por pas kësaj marrëveshjeje do ta bëjë këtë.

Pika që flet për Ujmanin kishte shkaktuar përplasje brenda delegacionit kosovar, pas kundërshtimit të Ramush Haradinajt. Ai u zmbraps nga paralajmërimi që ta refuzojë marrëveshjen, pasi u tha se është riformuluar ai paragraf.

Haradinaj të dielën ka shkruar se Kosova e ka hedhur “një hap të madh përpara, me marrëveshjen në Washington”.

“Me njohjen e Kosovës nga shteti i Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe një herë dëshmuan lidership botëror dhe konfirmuan interesin strategjik për paqe, prosperitet ekonomik e stabilitet në Kosovë dhe rajon”

Kosova dhe Serbia nënshkruan të premten marrëveshjen 16-pikëshe për normalizim ekonomik, në të cilën është përfshirë edhe njohja e shtetit të Kosovës nga Izraeli. Por disa prej çështjeve të dakorduara në Shtëpinë e Bardhë janë riciklim i marrëveshjeve të Brukselit, sikurse ajo për energjinë apo hapjen e pikëkalimit të përbashkët në Merdare.

Serbia deri më tani ka refuzuar t’i zbatojë ato.