Bashkimi Evropian konfirmoi se të martën e 19 marsit do të mbahet në Bruksel takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, bëri të ditur se krahas zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, tha se në këtë takim do të trajtohet edhe çështja e dinarit
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar sot se më 19 mars do të mbahet një takim i ri në kuadër të dialogut, i cili, sipas tij, do të jetë në nivel të kryenegociatorëve ndërsa mes tjerash do të trajtohet edhe çështja e përdorimit të dinarit.
Të martën, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorët, homologët e tij kryesorë, që të vijnë në Bruksel për të vazhduar diskutimet.
“Pra, para së gjithash, të vazhdohet diskutimi i cili tashmë ka filluar para disa javësh për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin”, ka thënë Stano.
Do të ketë edhe pika të tjera për të diskutuar mes kryenegociatorëve nga Serbia dhe nga Kosova në Bruksel, të cilat janë çështje me urgjencë në kuadër të dialogut, ka thënë ai.
Stano ka rikujtuar se kohë më parë ishte zhvilluar një takim në Bruksel lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas tij, në këtë takim ishin arritur disa rezultate por kanë mbetur edhe disa çështje që duhet të sqarohen.
Ai ka përsëritur se ky problem është krijuar si pasojë e veprimeve të njëanshme të autoriteteve të Kosovës, të cilat, sipas tij, kanë vendosur pa koordinim dhe me veprime të njëanshme.
Po ashtu ka përsëritur se mes tjerash do të diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër, që në fakt ishte një aneks i implementimit të marrëveshjes e cila më parë ishte arritur në Bruksel.
Sipas Stanos, edhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një çështje që duhet të trajtohet me prioritet dhe se kjo do të jetë po ashtu temë e diskutimeve në takimin e së martës.