Arbëri

Stacioni i Autobusëve që frikëson prindërit e nxënësve

Prej më shumë se një dekade, Stacioni i Autobusëve në qytetin e Vitisë nuk menaxhohet nga askush. Objekti është demoluar e kundërmon nga mungesa e mirëmbajtjes. Qytetarë dhe aktivistë të opozitës akuzuan pushtetin lokal për keqmenaxhim të pronave e edhe të parasë publike

Prej më shumë se dhjetë vjetësh, Komuna e Vitisë ka dështuar ta menaxhojë Stacionin e Autobusëve. Objekti është demoluar e mijëra nxënës që e frekuentojnë nuk kanë hapësirë ku t’i presin autobusët.

Kompanitë transportuese të udhëtarëve nuk paguajnë asnjë taksë për hyrje dhe parking të autobusëve.

Ndërkaq qytetarët kanë shprehur shqetësimet se nxënësit mund të pësojnë ndonjë sëmundje nga mosmirëmbajtja e objektit dhe banjave.

“Më shumë se 2.500 nxënës të shkollës së mesme që hyjnë dhe dalin, që kanë nevoja personale në banja, është katastrofë dhe nëse vjen ndonjë inspektor këtu duhet t’i vendosen shiritat stacionit të autobusëve që të mos i lejojë fëmijët të hyjnë aty. Unë jam tepër i shqetësuar, sepse jam një prind i fëmijëve”, ka thënë Hamdi Hasani.

E Zaim Neziri, shofer autobusi, flet për probleme të tjera të stacionit.

“Nuk ka licencë, nuk i plotëson kushtet, nuk ka mirëmbajtje. Sa herë që bie shi, nxënësit i marrim në autobus dhe i ndezim autobusët nga një orë para nisjes, sepse nuk kanë ku të presin në stacion. As s’ka banja, as s’ka asgjë, kurse brenda në stacion mund të hyjnë vetëm 20 nxënës e jo më shumë”, ka thënë ai.

Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë kritikuan pushtetin lokal për keqmenaxhim të parasë publike me arsyetimin se infrastruktura dhe objekti janë ndërtuar me taksat e qytetarëve. Ata thanë se tash stacioni është kthyer në vend ku kryhen dukuri negative.

“Përpos ankesave të vazhdueshme nga kompanitë që e transportit, kemi pasur ankesa se po zhvillohen edhe dukuri negative që kanë mundur të zhvillohen pikërisht në objektin e stacionit”, ka thënë asamblistja Majlinda Shabani. “Siç e keni parë, është një stacion që nuk mund ta quajmë stacion sepse nuk është funksional. Në anën tjetër, pjesa shqetësuese është vullneti që mos të them mosvullneti i komunës për ta marrë përsipër pronën publike”.

E drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Vitisë, Basri Aliu, ka shfaqur shpresën se së shpejti do të nisë mirëmbajtja e objektit dhe e hapësirës së Stacionit të Autobusëve.

“Kemi tentuar të jemi në bashkëpunim me kompaninë e ‘Kosovatransit’ të Gjilanit që ta marrin ata në mbikëqyrje të tyre, por nuk ka ecur kjo procedurë ashtu siç duhet, sepse përmes Kuvendit Komunal nuk kemi mundur ta kalojmë. Tash jemi ende në përpjekje që ta marrin ata në menaxhim, sepse po bëhen aty demolime prej nxënësve dhe qytetarëve”, ka thënë Aliu.

Në objektin e Stacionit të Autobusëve ndodhen edhe lokale afariste. Asamblistë opozitarë kërkuan që Komuna të nisë arkëtimin e mjeteve nga to.