Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve “Anamorava” në Gjilan kërkon që në këtë periudhë pandemie komuna t’i lirojë transportuesit nga pagesa e peronizimit që varijon nga 1 deri në 3 euro për çdo hyrje të autobusëve në stacionin e Gjilanit.
Gjithashtu nga komuna është kërkuar që të eliminohen edhe taksitë ilegale. Mirëpo kërkesat e tyre janë refuzuar nga menaxhmenti i ndërmarrjes publike “Stacioni i Autobusëve” të cilët i kanë deklaruar gazetës se ata do të vazhdojnë që të inkasojnë të hyra nga peronizimi meqë ata varen direkt nga këto hyra.
Jakup Berisha në emër të transportuesve ka deklaruar se ata do të protestojnë çdo ditë nga 1 orë deri në realizimin e kërkesave të tyre të cilat i janë parashtruar edhe pushteti lokal por edhe pushtetit qendror.
“Nuk do të jetë protestë njëditëshe por do të jetë e përhershme nga një orë në ditë deri në realizimin e kërkesave tona. Kërkesë për komunën është lirimi nga pagesa e taksës së peronizimit sepse çdo transportues paguan tri euro në ditë në këtë kohë të pandemisë. Na ka premtuar kryetari Haziri që në këtë kohë të pandemisë nuk do të paguajmë mirëpo ne paguajmë edhe sot e kësaj dite” ka thënë ai.
Berisha ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i kompensojë kompanitë transportuese ngase gjatë periudhës kur është ndaluar transporti publik me vendim qeveritar ata janë dëmtuar financiarisht.
“Kërkojmë kompenzmin e dëmit që na është shkaktuar për 77 ditë ku kemi qenë të bllokuar me vendim të Qeverisë ë Kosovës. Kurse na kanë bllokuar 50 përqind të kapaciteteve instaluese në autobus dhe prej 50 ulëseve të shfrytëzojmë vetëm 25 atëherë kërkojmë që 50 përqindshin të subvencionojë shteti. Në krejt Kosovën janë 1 mijë e 100 kompani transporti janë 12 mijë të punësuar dhe deri në vitin e ri një nga një do të mbesin barrë e shtetit për të paguar” ka shtuar ai.
Ndërkaq kryeshefi ndërmarrjes publike lokale “Stacioni i Autobusëve”, Avni Hajrullahu ka deklaruar për Kohën se transportuesit nuk do të lirohen nga pagesa.
“Jo nuk ka mundësi mu liru nga ana jonë sepse edhe ne jemi me vetëfinancim. Nëse i mbështet Qeveria atëherë krejt në rregull është. Është e rregulluar me tarifat e peronizimit transportuesit lokal e kanë nga 1 euro kurse këta ndërurban e kanë nga 3 euro shembull Ferizaji, Prishtina. Jemi në krizë nuk ka shanc me i liru” ka thënë ai.
Kurse Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Arban Abrashi në vizitën e tij të fundit në Gjilan ka deklaruar se masat lehtësuese për transportuesit do të jetë lirimi i pagesave për licencat.
“Janë një pjesë e licencave që ata e paguajnë tek Ministria dhe organet e tjera dhe mendoj që në emër të lehtësimit anti covid të lirohen nga këto pagesa pastaj të shohim edhe forma tjera të përkrahjes” ka thënë Abrashi.