Arbëri

Stacionet, më së paku të autobusëve

Pamjet e taksive ilegale dhe automjetet tjera që vazhdojnë t’i pengojnë autobusët, duke u parkuar në stacionet brenda qytetit, janë të zakonshme në kryeqytet.

Përkundër faktit se stacionet janë të destinuara për ndaljen e autobusëve, këto hapësira po u shërbejnë si parkingje shumë taksive ilegale, por edhe automjeteve individuale, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Kjo po ua vështirëson ndaljen dhe qarkullimin autobusëve urbanë.

Pos në stacione, të shpeshta janë edhe ndaljet e gjata në trasenë e djathtë të qarkullimit.

Në Komunën e Prishtinës thonë se janë të kufizuar në veprimet e tyre në mungesë të Policisë Komunale që parashihet me Ligjin për Kryeqytetin dhe numrit të vogël të inspektorëve.

Gjithçka e pastër, e krejt ndryshe është situata kur në terren ka patrulla të Policisë.

Por, zyrtarë të kësaj të fundit kërkojnë më shumë angazhim edhe nga inspektorët komunalë dhe ata të Ministrisë së Infrastrukturës, lidhur me taksitë ilegale.

Vitin e kaluar, sipas Policisë, ka pasur mbi një mijë raste të rimorkimit dhe konfiskimit të automjeteve vetëm për lirim të stacioneve.

Përderisa përmend pjesët më problematike, Qamil Behrami, toger, kërkon nga komuna tua heq lejen e parkimit për taksitë në lidhjen e rrugëve “Xhorxh Bush” e “Garibaldi”.

Bashkëpunimi me komunën, sipas tij, megjithëse është i mirë, por ka pasur ngecje disa muaj para zgjedhjeve lokale.

Edhe Behrami beson se krijimi i Policisë Komunale do të përmirësonte gjendjen, pasi sipas tij, për të mbuluar gjithë kryeqytetin, u duhet numër më i madh i policëve.

Ai nuk ka dhënë ndonjë shifër për policët e angazhuar në rrugët e Prishtinës.

Por, televizioni merr vesh se aktualisht numri i policëve është pothuajse përgjysmë më i vogël sesa nevojat.